Dy aksidente trafiku në afërsi të Janinës – Shuhet një familje shqiptare!

aksident trfiku fatalitetJaninë, 25 dhjetor 2013 – Tre anëtarë të një familje nga Gjirokastra kanë humbur jetën, në një aksident të rëndë trafiku, i cili ka ndodhur mëngjesin e sotëm, dy kilometra larg pikës kufitare në Kakavijë, në territorin grek. Mësohet se tre pjesëtarë të një familje, prindërit e moshës rreth 30 vjeçare dhe djali i tyre 2 vjeç, kanë vdekur në vend.
Mediat greke bëjnë të ditur se makina me të cilin udhëtonte kjo familje, është përplasur me një mjet tjetër dhe më pas ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një masiv shkëmbor. Nga të dhënat e para, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 8:00, teksa kjo familje nga Gjirokastra po vinte në vendlindje për festat e fundvitit. Policia greke ka nisur hetimet, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në morgun e spitalit “Haxhikosta”, në Janinë.

Aksident tragjik edhe në aksin rrugor, Janinë-Kakavijë!

Një aksident i rëndë ka ndodhur në mesnatën e Krishtlindjeve, në aksin rrugor Janinë-Kakavijë. Për pasojë, ka humbur jetën drejtuesi i mjetit, një shtetas i Shqipërisë i moshës 41 vjeçare, ndërsa është plagosur rëndë një grua e moshës 66 vjeçe. Me lëndime më të lehta kanë kaluar një fëmijë 5 vjeç dhe një grua 40 vjeçe. Sipas policisë greke, të plagosurit ndodhen në spitalin universitar të Janinës dhe gjendja e tyre nuk paraqet rrezik për jetën e tyre. Policia njoftoi gjithashtu se aksidenti ka ndodhur rreth orës 01:45, në kilometrin e 54-t të rrugës, Janinë Kakavijë. “Deri tek aksidenti ka ardhur, pasi drejtuesi i mjetit me targa greke, ka humbur kontrollin dhe makina ka rënë nga një urë me lartësi 4 metra, duke u shkatërruar krejtësisht. Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për t’i nxjerrë viktimat dhe të lënduarit”, thuhet në njoftimin e policisë greke, pa i komunikuar emrat e personave që pësuan në këtë aksident.

Leave a Reply