Deklarata e Bajram Gecajt nxit reagim tek veteranët e Dragashit!

Deklarata e Bajram Gecajt nxit reagim tek veteranët e Dragashit!

Dragash, 29 qershor 2016 – Veteranët e luftës së UÇK-së në Dragash kanë reaguar sot ndaj deklaratës së zëvendësministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajaram Gecaj, i cili në emisionin “Info Magazine” të televizionit “Klan Kosova” kishte bërë një krahasim me vendosjen e shtatores së Adem Jasharit në Dragash dhe atë të Car Lazarit në Mitrovicë. “Krahasimi i tij është në nivelin e kalamajve. Ai ka deklaruar se një pjesë e popullatës së komunës së Dragashit e ka kundërshtuar vendosjen e shtatores së Adem Jasharit. Ne i bëjmë me dije këtij këshilltari dhe zëvendësministri se në Dragash është kundërshtuar vetëm nga 5% e popullatës gorane me orientim pro-serb, ndërsa kundër vendosjes së Car Lazarit ishin 95% e popullatës së Republikës së Kosovës, pa e llogaritur edhe këtë këshilltarin e kryeministrit. Shtatorja e Adem Jasharit u vendos në tokën dhe shtetin e tij, Kosovën, për të cilën sakrifikoi vetën dhe familjen. Ndërsa, shtatorja e Car Lazarit është i një shteti tjetër, politika dhe populli i të cilit shtet ende nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe për ne shqiptarët figura e Car Lazarit ka qenë dhe do të mbetet si pushtues dhe armik i shqiptarëve. Në popull thuhet se guri i rëndë peshon në vend të vetë. Edhe shtatorja e Adem Jasharit e ka vendin në Kosovë kurse ajo e Car Lazarit në Serbi dhe nuk ka se çfarë të kërkojë në tokën shqiptaro-arbërore. Andej, zotëri këshilltar i kryeministrit, dalloi personalitetet kombëtare prej atyre pushtuese. Le të ngel në ndërgjegjen e Bajram Gecit kjo delegatë e pa matur dhe e dëmshme politikisht. Lavdi komandantit legjendar Adem Jasharit, Lavdi dëshmorëve të kombit”, thuhet në deklaratën e OVL të UÇK-së në Dragash, të cilën në redaksinë tonë e dërgoi kryetari i saj, Qerkin Krasniqi.