Bora vështirëson qarkullimin rrugor në Dragash

Bora vështirëson qarkullimin rrugor në Dragash

Dragash, 05 janar 2017 – Mëngjesi i së enjtes e ka gjetur komunën e Dragashit të mbuluar nga bora dhe me rrugët jo aq mirë të pastruara. “Po bëjmë maksimumin që t’i pastrojmë të gjitha rrugët, por reshjet nuk kanë të ndalur. Kjo po e bën më të vështirë punën”, tha për radion tonë një punëtor i kompanisë që është e angazhuar për mirëmbajtjen e rrugëve rajonale.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, pohoi se të gjitha borëpastrueset e Komunës janë të angazhuara në pastrimin e rrugëve lokale. “Jemi të angazhuar me të gjitha mjetet që posedojmë, por në këtë situatë nuk mund të presim pastrim rrënjësor nga bora”, tha Jenuzi për radion tonë.
Ndryshe, komuna e Dragashit është goditur më së shumti nga reshjet e borës, të cilat ende nuk po pushojnë. Nga terreni raportohet se rrugët rajonale janë të kalueshme, përkundër reshjeve që nuk kanë të ndalur. Ndërkohë, nëpër rrugët lokale të kësaj komune malore po qarkullohet me mjaftë vështirësi, prandaj apelohet tek drejtuesit e automjeteve që mos të lëvizin me automjete, nëse nuk e kanë të domosdoshme, e nëse marrin pjesë në trafik, të pajisen me goma dimri dhe të kenë edhe zinxhirët.

Leave a Reply