Banorët e Dragashit, kompaninë “Drini” e shikojnë me skepticizëm!

dimri ne dragashDragash, 26 nëntor 2013 – Komuna e Dragashit ka gdhirë sot me reshje të dendura të borës, por pa probleme në qarkullimin rrugor. Në orët e pasdites, rrugët kanë filluar të mbulohen nga bora, e cila ende nuk po ndalet. Rrugët e fshatrave më të ulëta janë të kalueshme, ndërsa rrugët e zonave më të larta, tashmë janë vështirësuar për qarkullim. Rruga, Dragash – Restelicë, është vështirësuar dukshëm, ku është regjistruar edhe një aksident, por pa pasoja në njerëz. Policia ka apeluar tek drejtuesit e automjeteve, të cilët ende nuk janë përgatitur me pajisjet dimërore, që këtë ta bëjnë sa më parë, pasi ata drejtues që nuk do të kenë pajisje dimërore, do të përjashtohen nga trafiku. Drejtori i Drejtorisë komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim në Dragash, Tafil Krasniqi, thotë se Komuna është përgatitur për sezonin dimëror, ndërsa për rrugët magjistrale, thotë se përgjegjëse është kompania “Drini”, e cila edhe dy vitet paraprake ka qenë e kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve nga bora në rajonin e Prizrenit. Drejtori i kësaj kompanie, Fatmir Gashi, i ka thënë RTK-së se në drejtim të trevës së Gorës, sot janë nisur dy borëpastruese dhe një kamion. “Komuna e Dragashit është furnizuar e para me të gjitha pajisjet dimërore dhe me kripën e nevojshme. Ndërkaq, komunat tjera në rajonit të Prizrenit, ende nuk janë përfshirë nga reshjet e borës dhe se qarkullimi rrugorë po zhvillohet normalisht”, ka thënë ai. Mirëpo, bazuar në dy vitet paraprake, banorët e Dragashit janë skeptik se ky dimër do të jetë më i mirë, në aspektin e mirëmbajtjes së rrugëve nga bora. Ata që sot e kanë përshkuar magjistralen, Zhur – Prizren, thonë se nuk kanë parë asnjë borëpastruese, ndërkohë që në rrugë kanë filluar ngricat, sepse nuk është hedhur fare kripë.
Ndërkaq, Policia Rajonale e Prizrenit ka raportuar sot për katër aksidente, njëri prej të cilave ka ndodhur në komunën e Dragashit. “Gjatë ditës së sotme janë regjistruar katër aksidente rrugore, tre në komunën e Suharekës dhe një tjetër u regjistrua në komunën e Dragashit”, njoftoi zyrtari për informim në Policinë e Prizrenit, Hazir Berisha.