Përkeqësimi i motit në Dragash – Raportohet për aksidente!

bota ne dragashDragash, 16 janar 2016 – Përkeqësimi i motit në mbarë rajonin, dukshëm është theksuar në komunën e Dragashit, ku në redaksinë tonë janë raportuar disa aksidente të vogla, si dhe vështirësi në qarkullimin rrugor nëpër fshatra, madje edhe bllokim të rrugëve.
Nga fshati Buçe, raportohet se rruga tashmë është e pakalueshme, në përjashtim të automjeteve që janë të specializuara për qarkullim në këto kushte. Ngjashëm është raportuar edhe për rrugët e fshatrave të tjera, por që kompetentët thonë se po bëjnë maksimumin që ato rrugë të pastrohen. “Në këto kushte, është e pamundur të pastrohen të gjitha rrugët. Aq më tepër kur dihet kapaciteti që ka Komuna për mirëmbajtjen e tyre. Realisht, për t’i mbajtur rrugët në funksion, do të duhej të kishte nga një borëpastruese për secilin fshat. Aktualisht, pastrohet një rrugë dhe, derisa pastrohen të tjerat, ajo paraprakja mbushet me borë”, thotë për radion tonë një aktivist, i cili shpesh duket në aksion vullnetar, pasi, siç thotë ai, nuk duhet pritur vetëm nga të tjerët por në të tilla kushte duhet të angazhohen të gjithë. Ndërkohë, qytetarët nuk shprehën të kënaqur as me mirëmbajtjen e rrugëve rajonale, veçmas asaj nga Zhuri për në Dragash, si arterie e kësaj komune. Kjo është dëshmuar edhe me një aksident që ka ndodhur në afërsi të Trokanit, kur një minibus ka rrëshqitur dhe, për fat nuk ka pasur pasoja për udhëtarët. Sipas raporteve nga terreni, në këtë rast ka rastisur një automjet i KFOR-it, i cili e ka kthyer minibusin në rrugë, pasi ai kishte dalë fare nga rruga.
Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve që t’iu përshtaten kushteve atmosferike. “Referuar kushteve atmosferike dhe me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik, parandalimit të aksidenteve, me njësitet e tona kemi marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore. Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që t’i respektojnë dispozitat ligjore të trafikut, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore, të ju përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, pasi që këto norma ligjore janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion. Në të kundërtën, Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa ndëshkuese dhe do të jetë më rigoroze ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, me të vetmin qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Leave a Reply