Autoritetet izraelite liruan 26 të burgosur palestinezë

lirimi burgosurve palestinezeGaza, 31 dhjetor 2013 – Autoritetet izraelite kanë liruar një grup prej 26 të burgosurish palestinezë, në kuadër të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA, për të rifilluar bisedimet e paqes.
Të burgosurit u pritën me brohoritje, sapo u kthyen në Bregun Perëndimor dhe në Gaza. Izraeli aprovoi lirimin ditën e shtunë, por zbatimi i vendimit u shty për t’iu lejuar familjeve të viktimave për të apeluar. Të burgosurit kishin kryer vrasje ose tentativa vrasjeje përpara marrëveshjes së Oslos të vitit 1993 dhe kanë shlyer nga 19 deri në 28 vjet burg. Ata përbëjnë grupin e tretë nga gjithsejtë 104 të burgosurish që do të lirohen. Tetë prej tyre u dërguan gjatë natës në postoblloqet që të çojnë në Gaza dhe Jeruzalemin Lindor. Ndërsa 18 të tjerë u dërguan për në Ramallah dhe Bregun Perëndimor.
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, nga zyra e tij në Ramallah përshëndeti të burgosurit dhe bëri thirrje për të vazhduar presionin për lirimin e të burgosurve të tjerë, që prej kohësh ndodhen në burgjet izraelite dhe vuajnë nga probleme shëndetësore. “Ne nuk do të nënshkruajmë asnjë marrëveshje paqeje me Izraelin, para se të gjithë të burgosurit të jenë të liruar”, deklaroi Abbas, i cili më herët i kishte cilësuar ata heronj të kauzës palestineze. Ndërkohë, të afërmit e viktimave që janë shkaktuar nga këta të burgosur që u liruan, prej ditësh kishin organizuar protesta kundër lirimit dhe i kishin kërkuar Gjykatës Supreme të Izraelit, që t’i bllokonte ata.

Leave a Reply