Thellohet bashkëpunimi, Dragash – Gostivar

panairi dragashDragash, 12 prill 2016 – Në kuadër të projektit “Turizmi – Derë e hapur për bashkëpunim ndërkufitar”, i cili po realizohet bashkërisht nga Komuna e Dragashit në Kosovë dhe ajo e Gostivarit në Maqedoni, sot është organizuar në Dragash “Panairi i gastronomisë”, në të cilin janë ekspozuar produkte ushqimore dhe artizanale nga Dragashi dhe Gostivari, ndonëse nga kjo e fundit kanë munguar produktet masive për shkak se, siç thanë disa anëtarë të delegacionit mysafir, në doganë do të kishin telashe për t’i kaluar gjithë ato produkte. Panairi, në të cilin mori pjesë edhe kreu i Gostivarit, Nevzat Bejta, ishte pjesë e një vargu aktivitetesh, me qëllim përafrimin e këtyre dy komunave, përmes zhvillimit të turizmit.
Kreu i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, tha se dyert e bashkëpunimit me Komunën e Gostivarit, janë plotësisht të hapura dhe se do të vijohet që, përmes aktiviteteve të ndryshme, të ndikohet në prosperitetin e dy komunave. Ndërkaq, kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta, tha se është për tu përshëndetur fakti se dy komunat shqiptare i ka bashkuar Evropa, përmes këtij projekti për bashkëpunim ndërkufitar, sidomos në zhvillimin e turizmit malor, për të cilin tha se komuna e tij ka ndërtuar shtigje në drejtim të Dragashit, përmes të cilave synohet edhe lidhja fizike mes dy komunave. “Krejt kjo, në shërbim të ngritjes së zhvillimit të gjithëmbarshëm të ekonomive familjare të të dyja komunave”, tha Bejta. Hapjen e këtij panairi e hijeshuan me paraqitjen e tyre skenike, nxënëset nga SHFMU “Fetah Sylejmani ” të Dragashit, të udhëhequra nga mësimdhënësi, Fejsal Shaqiri.
Pjesëmarrësit në panair u shprehen të kënaqur me këtë organizim, duke i falënderuar edhe organizatorët por edhe donatorin e projektit, që në këtë rast është BE-ja, e cila përmes fondeve IPA po e sensibilizon ekonominë familjare në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit.

Leave a Reply