Dragash, 10 qershor 2026 – Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, sot nënshkroi Grantin e Performancës Komunale, në vlerë mbi 883 mijë euro. Saktësisht 883 mijë e 837.56 euro.
Siç është zotuar kreu i Komunës, këto mjete do të investohen në realizimin e shumë projekteve infrastrukturore, me synim zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në këtë komunë.
“Shpreh mirënjohjen time të veçantë për stafin komunal, i cili me përkushtim dhe punë të palodhshme ka bërë të mundur që Komuna e Dragashit të renditet ndër pesë komunat fituese të këtij granti të rëndësishëm. Ky sukses është rezultat i angazhimit të përbashkët dhe na motivon të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve tanë”, ka thënë Xheladini, pasi nënshkroi grantin, të cilin po e fiton çdo vit, por që këtë vit është dukshëm më i lartë.
