Nën dyshimet për spiunazh arrestohet arsimtari nga Gora e Dragashit!

Nën dyshimet për spiunazh arrestohet arsimtari nga Gora e Dragashit!

Prishtinë, 13 gusht 2026 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policor nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në pikën kufitare në Merdare të Podujevës, kanë arrestuar shtetasin e Republikës së Kosovës, me përkatësi kombëtare Gorane, Fehim Sali, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Spiunazh”.

Lajmin për këtë arrestim e ka bërë publik Sistemi Prokurorial i Kosovës, duke shtuar se arrestimi i të dyshuarit është realizuar pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga autoritetet kompetente. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Institucionet riafirmojnë përkushtimin për luftimin dhe ndjekjen penale, si dhe për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave, për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, në veçanti ndaj atyre që cenojnë sigurinë kombëtare”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Lajmi për arrestimin e Fehim Saliut është publikuar në të gjitha mediet, ku specifikohet se ai dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të  Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zhelimir Matoviq.

Salihu punon si arsimtar në shkollën paralele me sistemin e Serbisë “9 Maji” në Rapçë të regjionit të Gorës së Dragashit. Më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes. Po ashtu, sipas medieve kosovare, ai dyshohet se merret me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, ndërsa dyshohet se është angazhuar edhe në grumbullimin e votave për mbështetësit e Aleksandar Vuçiqit.

Në fotografinë që e ka publikuar, Filiz Mustafa, kryetar i degës së Vetëvendosjes në Dragash, Fehim Sali shihet duke i shtrënguar duart me, Ivica Daçiq, kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, i cili mban postin e zv-kryeministrit dhe njëherësh ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë.