Kryetari i Dragashit kërkon pafajësi (Video)

Kryetari i Dragashit kërkon pafajësi (Video)

Prizren, 16 shkurt 2017 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, si dhe dy zyrtarë të tjerë vazhdojnë të përballen me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa afaristi, Nexhat Selaj, po akuzohet për uzurpim të pronës shoqërore.
I akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, kryetari Salim Jenuzi, tha në Gjykatë se, në bazë të asaj çka pretendon prokurori, ai është i pafajshëm. Përveç kryetarit Jenuzi, në këtë rast të akuzuar për të njëjtën vepër janë edhe drejtori i Urbanizmit, Behan Haxhihasan, inspektori komunal i ndërtimtarisë, Vetim Hasani, si dhe Nexhat Selaj, i cili akuzohet për veprën penale të uzurpimit të paligjshëm të pronës shoqërore. Për shkak se asnjëri nga të akuzuarit nuk pati avokat mbrojtës, në plotësim të procedurës së provave materiale, i akuzuari Behan Haxhihasan propozoi edhe disa prova materiale të reja, mirëpo meqë nuk pati kopje të tyre trupi gjykues i dha afat atij që brenda tre ditësh t’i paraqesë në kopje të mjaftueshme për Gjykatën dhe prokurorin e shtetit. Si rezultat i kësaj, gjykata mori aktvendim që shqyrtimi gjyqësor të shtyhet dhe u vendos që seanca e radhës të mbahet më 23 mars, raportoi sot me video portali – Kallxo.com