Dragashi e falënderoi Finlandën për ndihmën e saj!

finlanda dragashDragash, 15 mars 2016 – Ambasadorja e Finlandës në vendin tonë, Anne Huhtamaki, sot ka qëndruar në Dragash, ku ka marrë pjesë në ceremoninë që ka organizuar pushteti i këtushëm lokal, për ta falënderuar shtetin e saj për ndihmën që i ka dhënë kësaj komune. “Finlanda është shteti, i cili më së shumti e ka ndihmuar komunën tonë përmes UNDP-së, duke shpenzuar mbi dy milion euro”, tha kreu i Dragashit, Salim Jenuzi, duke i ndarë ambasadores mirënjohje zyrtare.
Nga ana e saj, ambasadorja Huhtamaki tha se ndihet tejet e lumtur që shteti i saj ka mundur ta ndihmojë Dragashin dhe, siç tha, tani që po i shikonte malet e bukura të kësaj komune, Finlanda ka vepruar drejt. “Ju e dini se shteti im ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë në Kosovë, në shumë fusha, duke filluar në atë të sigurisë, përmes KFOR-it, e deri tek çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik. Edhe në Dragash nuk jemi kursyer të ndihmojmë në studimin dhe ruajtjen e pasurive të bukura natyrore që keni”, tha mes tjerash ambasadorja Huhtamaki.
Pas ceremonisë zyrtare, e cila u zhvillua në sallën e Kuvendit të Komunës, për nder të ambasadores u shtrua edhe një drekë, e përcjellë me shfaqje artistike, ekzekutuar nga nxënëset e SHFMU-së “Fetah Sylejmani” nga Dragashi.

Leave a Reply