Sekuestrohen rreth 8 kilogram ar e argjend në Prizren!

Sekuestrohen rreth 8 kilogram ar e argjend në Prizren!

Prizren, 21 maj 2026 –  Prokuroria Themelore në Prizren, në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, si dhe në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore, ka zhvilluar veprime hetimore lidhur me dyshimet se disa biznese për shitjen e arit në qytetin e Prizrenit janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore dhe tatimore.
Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore që kanë nisur nga data 19.09.2025, me urdhër të prokurorit të çështjes, të mërkurën janë realizuar kontrolle në gjashtë lokale afariste në qytetin e Prizrenit, si dhe në tri shtëpi banimi. “Gjatë kontrolleve janë siguruar dëshmi materiale dhe është hasur sasi e konsiderueshme e arit dhe argjendit të padeklaruar, si dhe është iniciuar rast ndaj katër personave për veprat penale (Shmangia nga tatimi) dhe (Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore)”, thuhet mes tjerash në komunikatë, duke saktësuar se janë sekuestruar gjithsej 3.775,33 gram ar i padeklaruar, në vlerë të përafërt prej rreth 455 mijë euro, si dhe 4.204,98 gram argjend i padeklaruar, në vlerë të përafërt prej rreth 8.900 euro.
Ndërkaq, në raportin e sotëm të policisë thuhet se, përpos kësaj sasie të metaleve të çmuara, gjatë kontrolleve në dy lokacione të ndryshme, janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy pistoleta pa leje.