Harati, 29 korrik 2020 – Përmes disa fotografive nga Iraku, saktësisht në shtëpinë verore të Sadam Huseinit, dëgjuesi ynë i cili qëndroi në Irak për shtatë vjet, Lazim Avdiu, na bën me dije se ka arritur të sjell shumë përkrahës për shtëpinë tonë informative, përmes dëgjimit të programeve tona, leximit në faqen tonë në internet, si dhe përmes aktivitetit në faqen tonë në Facebook.
Lazimi aktualisht është staf civil i logjistikës së Ushtrisë Amerikane dhe NATO-s, ku vepron si ekspert i sistemeve të ftohjes dhe ventilimit. Fakti që prejardhjen e ka nga qyteti i Ferizajt, në Kosovë, Lazimi thotë se rastësisht është mishëruar me muzikën që transmetohet nga ne, për t’u zhytur edhe më shumë në faqen tonë, ku, siç thotë, ka gjetur seriozitet dhe patriotizëm modern ndaj kombit shqiptar dhe shteteve ku jetojnë shqiptarët. “Nuk ju shkruaj për të marrë ndonjë LIKE, por malli për vendin tonë është shumë i madh dhe jeni ju që sadopak na çmallni. Përveç kontakteve me familjen, ju na kënaqeni edhe me emisionet tuaja, sidomos me patrullimet që bëni në terren, duke na e mundësuar që ne t’i shohim bukuritë tona natyrore. Prandaj, ne me mburrje ua tregojmë miqve dhe kolegëve tanë nga e gjithë bota, se sa e bukur është Kosova jonë”, thotë mes tjerash Lazimi, duke potencuar se është një person apolitik dhe rastësisht ka hasur në adresat tona ku edhe është mishëruar me ne.
Lazim Avdiu, tashmë ndodhet në Harati të Afganistanit, është 61-vjeç dhe për punën e tij të ndershme thotë se është shpallur dhjetë herë si punëtor më i mirë në kampin ushtarak amerikan.