Protestohet edhe sot në Maqedoni – Dhjetëra të plagosur!


protesta dhuna shkupShkup, 06 korrik 2014 – Qendrat etnike të shqiptarëve në Maqedoni janë përfshirë nga protestat, kundër vendimit të Gjykatës Themelorë për rastin “Mostra”, si dhe kundër dhunës që është përdorë nga policia gjatë dy ditëve të kaluara.
Agjencitë shqiptare dhe jo vetëm, raportojnë se forcat policore kanë përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i zmbrapsur protestuesit, ku janë lënduar lehtë edhe policë. Televizioni “Alsat-M” raporton se në Tetovë ka pasur përleshje mes policisë dhe protestuesve, ku forcat policore kanë përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të zmbrapsur protestuesit.
Qindra persona marshojnë qetësisht në Shkup, Gostivar dhe Strugë. Autoritetet e rendit dhe sigurisë kanë nxjerrë në terren makina të blinduara dhe ujëmbajtëse. Zyrtarët thonë se synimi është që të parandalohet zhvendosja e protestës në qendër të Shkupit dhe pranë ndërtesave të institucioneve.
Agjencitë e lajmeve “Zhurnal”, “Tetovasot” dhe “Ina” raportojnë se protestat e qeta vazhdojnë në qendrat e tjera etnike. Protesta në Strugë, Gostivar dhe Tetovë zhvillohet njëjtë si ajo në Shkup. Agjencia “Zhurnal” citon gazetarin e saj në vendngjarje, i cili raporton se protestuesit po thërrasin kundër partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim.
Edhe në Dibër të Madhe ka nisur protesta, ku pjesëmarrësit mbajnë në duar flamuj kombëtarë shqiptarë. Ata u tubuan fillimisht në sheshin “Skënderbeu” për të vazhduar më pas drejtë Gjykatës së Dibrës, në të cilin objekt është edhe prokuroria.
Për dallim nga dy ditët e kaluara, sot po dominojnë thirrjet “Duam drejtësi!”, si kundërshtim ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, e cila dënoi gjashtë shqiptarë me burgim të përjetshëm, nën akuzën për vrasjen e pesë maqedonasve, pranë liqenit “Smilkovc” në Shkup.