Odeta Nishani ka ofruar dorëheqje nga posti i saj!

doreheqja odeta nishaniTiranë, 11 dhjetor 2013 – Zonja e parë e Shqipërisë, Odeta Nishani, ka ofruar dorëheqje nga posti i drejtoreshës së Tregut dhe Statistikave të Turizmit, pranë Ministrisë së Turizmit në Shqipëri. Lajmin e ka bërë të ditur vetë zonja Nishani, përmes faqes së saj në Facebook, ku shkruan se këtë akt e ndërmerr, për shkak të cenimit që po i bëhet kodit të etikës në administratë, presioni psikologjik, si dhe trysnisë së vazhdueshme, në mënyrë që zyrtarët e vjetër në Ministrinë e Turizmit dhe Kulturës të largohen vetë. “E thënë thjeshtë, etika është baza e komunikimit në administratë, në shoqëri, në shkollë e kudo në sferat e jetës. Kur ky parim cenohet, komunikimi gjymtohet ose bëhet i pamundur. Natyra e administratës publike karakterizohet nga hierarkia, e cila sipas rangut menaxhon të menduarit dhe të vepruarit në shërbim të taksapaguesve dhe të vetë shtetit, por gjithçka duhet të funksionojë në një kuadër etik.
Arroganca dhe tensionimi artificial bazohen në kërkesa, të cilat dëshmojnë mungesë vizionesh, mosnjohje të realitetit dhe të punës së bërë deri më tani. Presioni psikologjik, trysnia e vazhdueshme, pretendime absurde, shkrirja e strukturave ekzistuese dhe krijimi i strukturave të reja, të mbivendosura me institucionet e varësisë po përdoren, në mënyrë që njerëzit të vetëlargohen nga puna, e shoqëruar kjo edhe me prishje kontratash, duke përfituar nga statusi i ri i ministrisë, pas ndarjes së MTKRS-së (Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve). Duke e gjykuar fyese dhe të papranueshme këtë atmosferë, me keqardhje largohem, nëpërmjet dorëheqjes së parevokueshme nga ministria. Gjej rast të falënderoj përzemërsisht të gjithë bashkëpunëtorët e mi që punuan në këto vite, për profesionalizmin, përkushtimin, ndershmërinë dhe rezultatet e arritura, të cilat sfidojnë çdo nihilist dhe nihilizëm qëllimor”, ka shkruar Odeta Nishani, në profilin e saj, në Facebook.

Leave a Reply