Vazhdon protesta për largimin e kryetarit të Prizrenit

protesta doreheqja prizrenPrizren, 19 mars 2014 – Marshi i protestuesve që po kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, është ndalur para “Shtëpisë së Bardhë”, ku po dëgjojnë fjalimin e organizatorëve të protestës, Kastriot Jahaj dhe Lirim Krasniqi. Protestuesit kanë bllokuar hyrjen e “Shtëpisë së Bardhë” të cilën po e siguron policia.
Protesta filloi në mesditë, në sheshin “Shatërvan”, për të vazhduar marshin drejt selisë së Kuvendit të Komunës së Prizrenit, ashtu siç ishte paralajmëruar një ditë më herët. Protesta po organizohet nga shoqëria aktive “Për Prizrenin”, por që ka përkrahjen edhe nga katër subjekte politike të opozitës, të cilat publikisht janë deklaruar se po e mbështesin këtë veprim. Përmes një komunikate për media, kryetari Muja ka njoftuar dje se e ka pezulluar postin e kryetarit të Prizrenit, deri në një vendim të Gjykatës së Apelit. Por, ky vendim i tij është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare, duke kërkuar nga Muja që të japë dorëheqje nga posti i kryetarit, ndërsa betejën me drejtësinë ta vazhdojë i vetëm, pa qytetarët.
Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, është dënuar me 2 vjet burg me kusht, nga Gjykata Themelore e Prizrenit, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pavarësisht këtij vendimi, ai nuk ka pranuar të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Prizrenit, pasi ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe është në pritje të një vendimi nga ky institucion.

Leave a Reply