Në mesin e të arrestuarve në Mal të Zi edhe 6 serbë nga Mitrovica!

Në mesin e të arrestuarve në Mal të Zi edhe 6 serbë nga Mitrovica!

Podgoricë, 17 tetor 2016 – Në mesin e 20 personave të arrestuar gjatë ditës së djeshme në Podgoricë, të dyshuar për sulme terroriste në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, gjenden edhe 6 persona nga veriu i Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Sipas këtyre burimeve, ata janë Stefan Velimiroviq (1991), Bojan Kovaçeviq (1976), Vlladimir Bozhoviq (1995), Goran Kovaçeviq (1999) dhe Lluka Gjorgjeviq (1998), që të gjithë nga Mitrovica, si dhe Nikolla Gjorgjeviq (1995) nga Zubin Potoku. Që të gjithë këta kanë hyrë të shtunën në territorin e Malit të Zi nga Kosova, ku kishin planifikuar sulme terroriste. “Ky grup i armatosur dhe i udhëhequr nga ish shefi i xhandarmërisë serbe, Bratisllav Dikiq, kanë planifikuar sulme terroriste në ditën e zgjedhjeve, me qëllim të marrjes së pushtetit me dhunë, duke përfshirë këtu edhe kidnapimin e kryeministrit aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq”, kanë thënë burimet e cituara nga KosovaPressi, duke shtuar se një pjesë e këtij grupi, besnik të politikës së Serbisë në raport me me Kosovën, kanë gjetur strehë në veri të vendit, të mbështetura edhe nga elemente radikale e pro-ruse, janë stërvitur intensivisht gjatë muajit shtator dhe tetor për akte terroriste.
Agjencia KosovaPress ka provuar të kontaktojë me përgjegjësit e policisë në veri të Mitrovicës, për të marrë një prononcim, nëse këta personat të arrestuar janë të njohur për policinë, për shkak të së kaluarës së tyre, mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Ndryshe, Bratisllav Dikiq, ish shefi i xhandarmërisë serbe, kishte ndërhyrë edhe në zgjedhjet serbe në Kosovë, të mbajtura në nëntor të vitit 2013. Në atë kohë, ai ishte akuzuar nga partitë opozitare se kishte vendosur eksploziv në disa vendvotime, në mënyrë që t’i ndërpriste zgjedhjet, raporton – KosovaPress.

Leave a Reply