Në fshatin Buçe u varrosen viktimat e aksidentit – Familja e fali kamionxhiun!

Në fshatin Buçe u varrosen viktimat e aksidentit – Familja e fali kamionxhiun!

Dragash, 04 qerhor 2024 – Në prani të një numri të madh banorësh të fshatit Buçe dhe mbarë trevës së Opojës dhe jo vetëm, sot iu dha lamtumira e fundit viktimave të aksidentit që ndodhi të hënën në afërsi të Trokanit, në magjistralen, Zhur – Dragash.
Nëna, Valentina Krasniqi (39) dhe e bija e saj, Jeta Krasniqi (2), nuk iu përballuan plagëve të marra në aksident, ndërkohë, profesori i SHML “Ruzhdi Berisha” në Dragash, Vloran Krasniqi, po vazhdon kurimin në Spitalin Regjional në Prizren, ku sot është vizituar edhe nga redaksia jonë.
Sipas mjekëve të këtij spitali dhe gjatë një bashkëbisedimi me vetë profesorin, mësohet se ai tashmë po rehabilitohet me sukses dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, në prani të shumë njerëzve nga komuna e Dragashit dhe vendeve të tjera, u fal personi, i cili dyshohet se e shkaktoi aksidentin.
Familjarët e viktimave i kanë shtrënguar duart me familjarët e drejtuesit të kamionit, duke u shprehur se, ky aksident nuk është shkaktuar me qëllim por “ka qenë e shkruar nga Zoti” të ndodhte kjo tragjedi. Ky gjest human i familjarëve të viktimave u ndërmjetësua nga shumë imam të kësaj ane, ku këta të fundit u shprehen të emocionuar me, siç thanë, bujarinë e kësaj familjeje opojane.