Në fshatin Bresanë arrestohen katër persona (Video)

Në fshatin Bresanë arrestohen katër persona (Video)

Dragash, 14 mars 2018 – Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, e asistuar edhe nga Njësitet e Specializuara, sot kanë kryer një bastisje në fshatin Bresanë të Dragashit, ku kanë arrestuar katër persona, të dyshuar për përfshirje në  krim të organizuar, trans nacional. “Pas një periudhe hetimore, rreth dyvjeçare, policia ka realizuar një operacion, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave”, thuhet në raportin e policisë, të cilin e ka ilustruar edhe me pamje video. Policia thotë se këtij operacioni i ka paraprirë edhe një bashkëpunim i vazhdueshëm me autoritetet policore nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Italia, Zvicra dhe Austria, ku në të gjitha operacionet e përbashkëta policore, deri më tani janë arrestuar rreth njëqind persona të dyshuar si dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të substancave narkotike dhe prova të tjera materiale. “Përveç arrestimit të katër personave të dyshuar, në cilësi të provave materiale, janë sekuestruar edhe rreth një kilogram substancë narkotike, e dyshuar si marihuanë, një pushkë gjuetie, një karikator i zbrazet që i përket automatikut AK 47, si dhe mjete të ndryshme që shërbejnë për paketimin e substancave narkotike”, bën të ditur policia.