Jenuzi: “Me CDU-në në koalicion, i shuajmë strukturat paralele”

jenuzi hoxhaj fushataDragash, 29 nëntor 2013 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), sot e ka përmbyllur fushatën parazgjedhore në Dragash, për zgjedhjet e së dielës, ku në balotazh garon kandidati i këtij subjekti, Salim Jenuzi, kundrejt kandidatit të LDK-së, Fatmir Mehmetit.
Në manifestimin përmbyllës, në të cilin mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, u tha se PDK-ja tashmë e ka fitoren e sigurt, pasi të gjitha subjektet politike, përpos atij që është rival, janë rreshtuar në koalicionin e madh, në përkrahje të Salim Jenuzit. “Me ne janë rreshtuar të gjitha partitë nga Gora dhe ato nga Opoja, përpos LDK-së, e cila dihet që është rivale e jona. Edhe koalicioni i fundit me CDU-në, nuk është bërë për qëllime, ashtu siç po spekulohet, por është bërë për qëllimin më të mirë, e që është inkuadrimi i tyre në institucionet legale të Komunës, ku si rezultat vjen deri tek shuarja e strukturave paralele”, tha Jenuzi, teksa i ftonte simpatizantët e tubuar në sallën e shtëpisë së kulturës në Dragash, që t’ia besojnë edhe mandatin e ardhshëm për ta qeverisur Dragashin.
Nga ana tjetër, nënkryetari i PDK-së, ministri Enver Hoxhaj, duke e përsëritur se njeriu më i mirë për ta qeverisur Dragashin, është Salim Jenuzi, ripërsëriti premtimet e kreut të partisë, Hashim Thaçit, se cilat do të jenë investimet kapitale që do të realizohen në këtë komunë, nën udhëheqjen e PDK-së.
“E ripërsërisë premtimin e kryeministrit Thaçi, se rruga kryesore e kësaj komune, Zhur – Dragash, do të zgjerohet dhe do të bëhet me tre korsi. Do të ndërtohet një palestër sportive në Dragash, pasi kjo është mungesë e kamotshme në këtë zonë”, premtoi mes tjerash ministri Hoxhaj, duke e përsëritur arsyen që kjo parti pranoi në koalicion subjektin goran, CDU-në, e cila njihet publikisht se e ka marrë mbështetjen edhe nga qeveria e Serbisë. “Ne nuk e bëmë këtë koalicion, se na mungonin votat. Por, e bëmë që t’i integrojmë edhe ata në strukturat legale të Dragashit. Votat tashmë i kemi të sigurta, sikurse fitoren, pasi të gjitha subjektet politike janë me ne, përpos asaj rivales, e cila e ka humbur me kohë qeverisjen e Dragashit”, tha Hoxhaj.

Leave a Reply