Hoxhaj dekoron Ramën me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës!


rama hoxhaj mirenjohja

Prizren, 11 nëntor 2014 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pak pas orës 16:00 ka mbërritur në Prizren, ku dhe ka darkuar me bashkëpunëtorët e tij. Edhe pse ai u fokusua nga mediat, këto të fundit nuk patën qasje për të marrë ndonjë prononcim, pasi qëndrimi i tij në Prizren ishte krejt privat dhe nuk kishte të bënte me ndonjë agjendë zyrtare.
Megjithatë, ai u prit nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili shtroi darkë për Ramën, në emër të kryeministrit Thaçi dhe Qeverisë së Kosovës. Në një prononcim për Radio SHARRI-n, ministri Hoxhaj tha se darkën e shtroi për kryeministrin Rama dhe delegacionin e tij, në shenj mikëpritje dhe zemërgjerësie për atë që Rama bëri gjatë vizitës në Serbi. “Gjatë kthimit nga Serbia për në Shqipëri, në Prizren prita kryeministrin Rama, duke i uruar mirëseardhje në Kosovën e pavarur. Për nderë të tij shtrova darkë në Prizren, në shenj falënderimi për qëndrimin dinjitoz që ka mbajtur në Beograd. Në shenj falënderimi dhe mirënjohjeje për qëndrimin e tij në Beograd, duke e mbrojtur shtetësinë e Kosovës, kryeministrit Rama i dhurova Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, tha Hoxhaj për Radio SHARRI-n.
Kryeministri Rama, në Prizren është pritur edhe nga kryetari i këtij qyteti historik, Ramadan Muja. Një pritje dinjitoze, kryeministrit Rama iu bë edhe nga qytetarët e Gjilanit, të cilët mbanin pankarta me mbishkrimin “Edi Rama – kryeministër i Shqiptarëve”.


 

Leave a Reply