Inspektorët reagojnë pas një publikimi në faqen tonë!

Inspektorët reagojnë pas një publikimi në faqen tonë!

Dragash, 11 maj 2018 – Sot janë kontrolluar disa shitore në territorin e komunës së Dragashit, pas një publikimi në faqen tonë, ku është raportuar për një produkt ushqimor, të cilit i kishte kaluar afati i qëndrueshmërisë para tre vjetësh.
Enis Sylejmani, inspektor i tregut në Dragash, ka njoftuar redaksinë tonë se ekipi i tyre ka reaguar sot menjëherë, me ta kuptuar se qytetari që ka raportuar në redaksinë tonë, ka pasur të drejtë në reagimin e tij, për çka edhe e kanë falënderuar, ani pse nuk e njohin identitetin e tij. “Ne kemi reaguar menjëherë dhe, gjatë kontrollit që kemi bërë në disa lokalitete, e kemi gjetur shitoren se ku ndodhej produkti që është raportuar nga Radio Sharri. Pas kontrollit, ka rezultuar se informacioni ishte i saktë dhe ne e kemi konfiskuar produktin në fjalë, ndërkohë që ndaj shitësit kemi ndërmarrë masat adekuate”, ka thënë Sylejmani, duke apeluar tek qytetarët që të raportojnë për rastet e tilla, sepse vetëm kështu e mbrojmë shëndetin e popullatës. “Secili duhet të raportojë pa hezitim sepse ne iu garantojmë për ruajtjen e identitetit të tyre”, ka thënë Sylejmani.