Linda Morina në Gjermani – Reagon Merita Bunjaku!

Linda Morina në Gjermani – Reagon Merita Bunjaku!

Prishtinë, 01 nëntor 2016 – Këngëtarja jonë e njohur, Merita Bunjaku, ka reaguar sot për dukurinë, të cilën ajo e quan skandaloze dhe aspak për tu mburrur me kulturën që ka kapluar kombin tonë në masë të madhe. Shkas për këtë reagim, ishte koncerti i mbrëmshëm në Shtutgard të Gjermanisë, ku para publikut kishte dalë edhe Linda Morina! “Me dekada tek ne u servua një art i nivelit shumë të ulët, ku pjesë e këtij arti, përveç pseudokëngëtarëve që shfrytëzuan rrethanat, u bënë edhe disa këngëtarë-e që në popull njiheshin gjithsesi si njerëz të vlerave. Fatkeqësisht, ky lloj arti i këtij niveli të ulët ndikoi edhe në krijimin e një shije të ulët në masë, duke e penguar artin e mirëfilltë dhe sot, për faj të tyre, ne po i përjetojmë pasojat.
Rasti konkret është, Linda Morina. Nuk më brengos dukuria ‘Linda Morina’ sepse Linda të tilla kemi me bollëk, por me shqetëson hapësira mediale dhe masa e cila, jo që ndëshkon dukurinë por e përkrah atë! Në rastin konkret, pjesëmarrja masive në mbrëmjen e djeshme në Shtutgard e dëshmon nivelin tonë. Prandaj, me bindje të plotë e them se, ata që i japin gjithë këtë hapësirë mediale si dhe ata që i mbushin sallat me dukurin ‘Linda Morina’ janë të të njëjtit nivel, veçse ndryshojnë në pamje fizike dhe në profesion. Edhe kjo qenka pjesë e mjerimit”, është shprehur Merita Bunjaku publikisht.
E pyetur nga Radio Sharri, se përse gjithë ky mllef ndaj asaj çfar po bën Linda Morina, këngëtarja e mirënjohur, Merita Bunjaku, thotë se nuk e ka në shënjestër Lindën, por dukurinë. “Mendimi im është një lloj përgjithësimi për atë se çka po kultivohet këto dekadat e fundit tek ne. Nuk kam asgjë me Linda Morinën, por më tmerron kultivimi i këtij arti të ulët që pasoi me shijen e ulët në popull”, ka thënë Merita Bunjaku.

Leave a Reply