Reagon BIK-u ndaj deklaratave të myftiut të Beogradit!

Reagon BIK-u ndaj deklaratave të myftiut të Beogradit!

Prishtinë, 05 mars 2018 – Deklarimi i myftiut të Beogradit, Mustafa Jusufspahiq, se Kosova është djep i Serbisë, për kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) është deklaratë jashtë rregullave fetare dhe me prapavijë politike. BIK-u ka thënë se myftiu nga Beogradi është një vegël e pushtetit serb dhe assesi prijës i besimtarëve islamë në atë shtet. “Besimtarët myslimanë të Kosovës dhe ata të Kosovës Lindore (Luginës së Preshevës), si dhe i gjithë populli i Kosovës, nuk pajtohet me këto deklarata, të cilat dëshmojnë se ky person e ka politizuar fenë për interesa të ulëta e meskine të tij. Ky njeri, që veten e quan myfti dhe që me vetëdije është vënë në shërbim të politikës serbe, e cila ka qenë antishqiptare, antiboshnjake dhe antimyslimane, e që dëshmuan luftërat e gjenocidi që ka bërë Serbia e Milosheviqit gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar në Kosovë e Bosnjë, për çka është gjykuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte. I bëjmë me dije të ashtuquajturit Myfti të Beogradit se Kosova kurrë s’ka qenë pjesë e Serbisë e aq më pak djep i Serbisë. Ç’është e drejta, Kosova një kohë, jo të shkurtër, ka qenë e okupuar nga Serbia, por populli dhe paria e Kosovës kurrë nuk u pajtuan me okupimin serb dhe në vazhdimësi janë angazhuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Po ashtu i themi të ashtuquajturit Myfti të Beogradit, të bashkërenditurve me të dhe mentorëve të tij se Kosova tash e 19 vjet është e lirë, ndërsa tash e një dekadë shtet i pavarur e demokratik, i pranuar ndërkombëtarisht nga mbi 116 vende, andaj angazhimi juaj për ta ‘ruajtur’ Kosovën në kuadër të Serbisë i përket së kaluarës, të cilën ne tashmë e kemi lënë prapa. ‘Myftiu’ i Beogradit edhe mund t’ia bëjë ndonjë argat politikës zyrtare serbe, siç edhe e thotë në rastin e Gambias, por një duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se pavarësia dhe shtetësia e Kosovës janë arritje që nuk bëjnë kurrë prapakthim. Po ashtu i bëjmë me dije se Kosova ka institucionet e saj fetare, të organizuara në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, e që kujdesen për besimtarët e saj, andaj Spahiqi s’ka pse të brengoset asgjë për myslimanët e Kosovës. Deklaratat e Spahiqit nuk janë qëndrime të besimtarëve të Sanxhakut e assesi të Kosovës Lindore (Luginës së Preshevës), madje jemi të bindur që nuk janë as qëndrime të atyre myslimanëve që jetojnë në Beograd. ‘Myftiu’ Jusufspasiq është myfti i politikës zyrtare serbe dhe paraqet vetëm qëndrimet e mentorëve të tij e assesi të besimtarëve myslimanë”, thuhet në reagimin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.