Maqedoni: Reagime të ashpra nga Kosova dhe BE-ja!

Maqedoni: Reagime të ashpra nga Kosova dhe BE-ja!

Shkup, 02 mars 2017 – Kryetari i shtetit, Hashim Thaçi, ka reaguar sot rreth zhvillimeve të fundit në Maqedoni, duke thënë se ato janë shumë shqetësuese. “Presidenti Ivanov abuzoi me Kushtetutën dhe ligjet në qasjen e tij armiqësore e antishqiptare, që përbëjnë një të tretën e qytetarëve të këtij shteti. Me vendimin e tij, presidenti Ivanov varrosi demokracinë, duke mos njohur vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe ligjet, si dhe varrosi Marrëveshjen e Ohrit. Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues dhe Maqedonia duhet të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Pa të drejta të barabarta të shqiptarëve në Maqedoni, humb kuptimi i funksionimit të shtetit të Maqedonisë. Në fund, shqiptarët duhet të marrin fatin e të drejtave të tyre në duart e veta”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.
Ndërkohë, reagim i shpejtë ka pasuar edhe nga eurokomisari, Johanes Han, i cili ka thënë se Komisioni Evropian tashmë disa herë ka përsëritur se të gjithë liderët e partive më të mëdha në vend, përfshirë këtu edhe presidentin, duhet patjetër ta respektojnë rezultatin e zgjedhjeve. “Lidhur me zhvillimin e fundit në Maqedoni, të gjithë liderët politikë, përfshirë edhe presidentin Ivanov, duhet ta respektojnë rezultatin nga zgjedhjet paraprake. Në demokraci duhet të njihet shumica parlamentare, madje edhe nëse këtë nuk e doni. Për këtë shkak pres që liderët politikë dhe institucionet t’i lejojnë procesit demokratik të zhvillohet në rrugën e tij, në interes të qytetarëve”, është shprehur Han.

Leave a Reply