Tjerrtores “Remateks” ia bllokojnë portën!

Tjerrtores “Remateks” ia bllokojnë portën!

Dragash, 02 mars 2017 – Mbrëmë, një telefonatë anonime e ka njoftuar redaksinë tonë se një autobus e ka bllokuar tjerrtoren “Remateks” në Dragash, të cilën e kishte hapur një korporatë turke por që është larguar tashmë nga aty, duke lënë pas vetes shumë borxhe.
Një përfaqësues i kompanisë transportuese që ia ka mbyllur derën kësaj fabrike, duke ia parkuar autobusin para portës, i tha redaksisë sonë se ky veprim është ndërmarrë, pasi korporata turke nuk ia ka shlyer borxhin për transportin e punëtorëve. “Ata kanë brenda dy kamionë dhe kishin ardhur që t’i marrin fshehurazi. Por, ne e kuptuam këtë dhe vendosëm t’ua bllokojmë derën. Ata nuk do të mund t’i marrin këta kamionë, përderisa nuk e shlyejnë borxhin që kanë ndaj kompanisë sonë”, tha ky përfaqësues i kompanisë për transportin e udhëtarëve.
Ish tjerrtorja “Drateks”, e cila është blerë nga disa afaristë nga Dragashi, kohë më parë i ishte dhënë me qira një kompanie turke, e cila e rihapi fabrikën me emrin “Remateks” por që asnjëherë nuk i eci mbarë. Suksesin më të madh e arriti, kur numrin e punëtorëve e shtoi në rreth 400. Por, shumë shpejtë u përfol se, përveç veprimtarisë, turqit e trashëguan edhe modelin e tjerrtores, duke i shërbyer politikës. “Sikurse Drateksi që ishte hapur si fabrikë politike, ashtu edhe turqit bënin politikë me të. Merrnin shumë punëtorë gjatë fushatave parazgjedhore dhe më pas i largonin”, u shpreh një punëtor, i cili, siç tha, e njeh se si merrte frymë Drateksi por edhe Remateksi. Sipas këtij punëtori, korporata turke ka ikur pa iu paguar punëtorëve dy rrogat e fundit, ndërsa firmave dhe komunës iu detyrohet qindra mijëra euro.

Leave a Reply