Gjenerali Enver Cikaqi ndau certifikatat për ushtarët më të mirë!

Gjenerali Enver Cikaqi ndau certifikatat për ushtarët më të mirë!

Prishtinë, 15 mars 2019 – Në ambientet e kazermës “Adem Jashari”, të Komandës së Forcave Tokësore, është mbajtur ceremonia e garës së ushtarit më të mirë, në kuadër të Brigadës së Mbështetjes Operacionale (BMO). Të pranishëm në këtë ceremoni ishin komandanti i Forcave Tokësore (KFT), gjeneral brigade Enver Cikaqi, komandanti i BMO-së, gjeneral brigade Naim Haziri, zv. komandanti i BMO-së, kolonel Avdi Rraci, komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile, kolonel Shaip Haziri, komandantët e batalioneve të BMO-së si dhe oficerë dhe nënoficerë të FSK-së. Komandanti i BMO-së, gjeneral brigade Naim Haziri u shpreh i kënaqur me mbajtjen e kësaj gare, ku theksoi se vetë prezenca e komandantit të Komandës së Forcave Tokësore dhe e oficerëve të lartë tregon për interesimin e ushtarëve për këtë aktivitet, në kuadër të brigadës. “I përgëzoj organizatorët dhe rreshter-majorët që kanë punuar gjatë gjithë kohës për organizimin e garës, në veçanti i falënderoj pjesëmarrësit e kësaj gare. Gjatë realizimit të garës, kam parë përkushtimin e secilit prej jush për të dhënë më të mirën, duke shprehur aftësitë dhe shkathtësitë e tuaja, si në punë individuale ashtu edhe grupore”, tha Haziri.
Në emër të FSK-së foli rreshter-majori i komandantit të FSK-së, Genc Metaj, i cili, pasi falënderoi të pranishmit në ceremoni dhe organizatorin e garës për mbajtjen e saj me sukses, ndër të tjerash, theksoi se FSK-në e presin sfida të tjera në organizimin e garës, tashmë ndërkombëtare, e cila do të organizohet në nivel të FSK-së, në fund të muajit prill 2019. “Kjo garë, në kuadër të BMO-së, është vetëm parapërgatitje për garën finale me karakter ndërkombëtar”, tha Metaj. Ndërkaq, rreshter-majori i Brigadës së Mbështetjes Operacionale, Besim Berisha, i njoftoi të pranishmit me disiplinat në të cilat është zhvilluar gara dhe kohën e mbajtjes së saj.
Gara është mbajtur nga data 12 mars deri më 14 mars 2019 në disiplinat, njohuri të përgjithshme, testi fizik, navigim tokësor, grup aktivitetesh si dhe marshimi prej 15 kilometrash me ngarkesë.
Fitues të garës, ushtari më i mirë në kuadër të BMO-së, janë shpallur, tetari Labinot Vuniqi nga Batalioni i Logjistikës, vendi i dytë i takoi tetarit, Besnik Nebiu nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile dhe vendin e tretë e zuri ushtari Mehdi Bajraktari, i cili shërben në Batalionin e Logjistikës. Certifikatat iu ndanë nga gjenerali, Enver Cikaqi.