OSHP-ja sërish e kthen në rivlerësim tenderin për ujësjellësin e Dragashit!

OSHP-ja sërish e kthen në rivlerësim tenderin për ujësjellësin e Dragashit!

Prishtinë, 19 mars 2019 – Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) sërish e ka marrë vendimin për anulimin e njoftimit për dhënien e kontratës për projektin e vazhdimit të punëve në ujësjellësin kryesor, të iniciuar nga Komuna e Dragashit. Kjo, pasi Gjykata e Tenderëve ka vendosur që kjo lëndë të kthehet në rivlerësim. “Anulohet njoftimi për dhënie të kontratës, lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Ujësjellësi kryesor-vazhdimi i punëve i iniciuar nga Komuna e Dragashit dhe lënda kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e publikuar nga OSHP-ja. Në vendim bëhet e ditur se paraprakisht është aprovuar si e bazuar ankesa e operatorit ekonomik “Puna” sh.p.k dhe “Info Plus”, lidhur me këtë lëndë.
Komuna e Dragashit, deri më tani, gjashtë herë e pati anuluar njoftimin për dhënien e kontratës për këtë projekt. Një veprim i kësaj natyre i është kërkuar Komunës sërish nga OSHP-ja, pasi që ky organ ka gjetur sërish shkelje të dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik nga autoriteti kontraktues. Për këtë, operatori ankues kishte deponuar ankesë në OSHP, më 28 janar 2019, kundër njoftimit për dhënie të kontratës nga Komuna e Dragashit.