Shpallen fituesit e tenderit për ujësjellësin në Dragash – Por…

Shpallen fituesit e tenderit për ujësjellësin në Dragash – Por…

Dragash, 02 nëntor 2018 – Zyra e Prokurimit në Dragashit i ka shpallur fituesit për ndërtimin e ujësjellësit kryesor, që do t’i furnizojë 14 fshatra të kësaj ane. Vendimi është marrë të mërkurën (31.10.2018), ku fitues janë shpallur kompanitë “Alfa–ING” dhe “AL-Trade”.
Megjithëkëtë, burimet tona kanë mësuar se do të ketë sërish zvarritje, pasi kompani “Puna” do të ankohet sërish, madje do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore që ky tender të anulohet. Kjo, sepse drejtuesit e kompanisë “Puna” këmbëngulin se edhe kësaj radhe janë shkelur procedurat. Vahidin Halili, përfaqësues i kompanisë “Puna” i ka thënë redaksisë sonë se, ata janë e vetmja kompani që është shpallur e përgjegjshme nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP). “Ne jemi të vetmit që në këtë tender jemi klasifikuar si kompani e përgjegjshme dhe nuk mund ta pranojmë që Prokurimi në Dragash shpall fitues kompani që janë klasifikuar si të papërgjegjshme”, tha shkurt Halili.
Kujtojmë se ky tender po zvarritet tash e tre vjet për shkak se ka ankesa, të cilat OSHP-ja po i merr parasysh dhe po e rikthen në rishqyrtim vlerësimin e kompanive nga ana e Prokurimit në Dragash.
Në Zyrën e prokurimit në Dragash patën deklaruar më herët se problemi po zvarritet nga vetë OSHP-ja, e cila çdo tender po e anulon dhe po e kthen në rivlerësim. “Ne jemi duke e mbrojtur buxhetin, ashtu siç edhe e parasheh kriteri kryesor, që fitues të shpallet operatori që ofron çmimin më të lirë. Ndërkohë, edhe pse ankuesi në OSHP është për rreth 500 mijë euro më i shtrenjtë, po ia del që ta bind këtë institucion për ta anuluar tenderin, duke na e rikthyer për rishqyrtim. Prandaj, konsiderojmë se është OSHP-ja ajo që po na e zvarrit këtë projekt”, pati thënë për redaksinë tonë menaxheri i Zyrës së Prokurimit në Dragash, Nuro Ismaili, duke shtuar se, edhe eksperti i OSHP-së kishte konstatuar se Komuna nuk ka faj dhe i njëjti është larguar nga kjo pozitë.