Në Kuvendin e JGP-së – Adem Hoxha mbetet kryetar

Në Kuvendin e JGP-së – Adem Hoxha mbetet kryetar

Dragash, 03 nëntor 2018 – Partia e Bashkuar Gorane (JGP), sot në Dragash ka mbajtur Kuvendin punues, ku i ka zgjedhur krerët e saj për ta udhëhequr këtë subjekt politik, për katër vjetët e ardhshme. Të pranishëm ishin mbi 170 delegatë, të cilët e kanë rizgjedhur edhe për një mandat Adem Hoxhën që t’iu prijë.
Në këtë kuvend, i dyti që nga themelimi i këtij subjekti goran, në vitin 2014, janë zgjedhur edhe nënkryetari, Fejsal Haliloviq, si dhe kryesia e përbërë nga, Selman Osmani, Enes Sherifi, Berzat Sharri, Neim Satiari dhe Feadis Bazda.
Të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Hamza Bale, si dhe përfaqësuesja nga KQZ-ja, Valmira Selmani, e cila në fund ka konfirmuar se gjithçka ka vajtur mirë në punimet e kuvendit zgjedhor të këtij subjekti politik.
Adem Hoxha, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, tha për redaksinë tonë se ky subjekt do të vazhdojë edhe në të ardhmen që t’i mbrojë interesat e komunitetit goran dhe jo vetëm. “Gjithçka vajti mirë dhe ne zotohemi se do të vazhdojmë të jemi prijës kryesor të komunitetit tonë dhe jo vetëm. Do të angazhohemi me të gjitha mundësitë që kemi, që komunitetit tonë t’ia rrisim mirëqenien edhe më shumë”, tha shkurt Hoxha.