Demarkacioni kaloi, falë votës së goranit Adem Hoxha!

Demarkacioni kaloi, falë votës së goranit Adem Hoxha!

Dragash, 21 mars 2018 – Ashtu siç raportohej në media, tash e sa ditë, votimi i sotëm për demarkimin e kufirit me Malin e Zi kaloi pozitivisht, falë votës së deputetit nga Gora e Dragashit, Adem Hoxha. Vota e këtij të fundit ishte vendimtare, pasi për ta kaluar këtë ligj duheshin minimum 80 vota dhe po aq votuan sot për kalimin e këtij projekt-ligji.
Adem Hoxha, nga Restelica e Gorës së Dragashit, është kryetar i Partisë së Bashkuar Gorane (JGP) dhe, në Grupin parlamentarë është me Listën Serbe, duke trashëguar pararendësin e tij, Mursel Halilin, i cili përfaqësonte Iniciativën Qytetare të Gorës (GIG).
Siç raportoi sonte Klan Kosova, Hoxha është përcjellë me polici deri në Kuvendin e Kosovës dhe, pas votimit, nën masa të rrepta sigurie ai u përcoll për në Dragash. Vota e tij PËR, komentohet sikur është bërë me bekimin e Listës Serbe, pasi ky subjekt ende nuk ka reaguar për veprimin e tij, në kundërshtim me qëndrimin e Grupit Parlamentar, të cilit i takon, e që kuvendarët e këtij grupi nuk morën pjesë fare në punimet e djeshme dhe ato të sotmet të Kuvendit. Adem Hoxha është themelues dhe Kryetar i Partisë së Bashkuar Gorane (JGP) dhe, pak kohë pasi regjistron këtë parti, merr pjesë në zgjedhjet lokale, ku në trevën e Gorës fiton shumicën e votave nga komuniteti goran, duke e mposhtur kështu Iniciativën Qytetare të Gorës (GIG) që udhëhiqet nga Mursel Halili, tani drejtor për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike në Komunën e Dragashit.
Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, si partia më e votuar e goranëve, Adem Hoxhës i takoi vendi i rezervuar për goranët, ku vazhdon traditën që kuvendari i këtij komuniteti të jetë në Grup Parlamentar me serbët. Kjo, për faktin se Adem Hoxha drejton Këshillin e Përkohshëm Komunal të Gorës që administrohet nga Serbia.