Dragashi nuk behet rehat me rrjetin e ujësjellësit!

Dragashi nuk behet rehat me rrjetin e ujësjellësit!

Dragash, 03 tetor 2022 – Më shumë se 12 orë kishin punuar punëtorët e “Hidroregjionit Jugor” në Dragash për ta sanuar pëlcitjen e gypit kryesor të ujësjellësit, në qendër të qytezës. Kur ia dalin mbanë në orët e vona, mbrëmjen e së dielës, sot pëlcet sërish, pak metra larg defektit paraprak. Krejt kjo, si pasojë e rrjetit të stërvjetëruar, i cili ende ua përçon ujin e pijshëm banorëve të kësaj ane përmes gypave të azbestit. “Gjatë natës ia kemi dalë ta sanojmë gypin kryesor, afër stacionit të autobusëve në Dragash, edhe pse ishte ditë vikendi. Sot pëlciti serish në tjetër vend. Përfundimisht duhet intervenim komplet në rrjet, i cili është instaluar para shumë dekadave me gypa azbesti. Aktualisht po ballafaqohemi për ta sanuar edhe këtë pjesë, në mënyrë që qytetarëve në pjesën e poshtme të Dragashit, t’ua rikthejmë furnizimin e rregullt me ujë”, tha për redaksinë tonë menaxheri i njësisë së Hidroregjionit Jugor në Dragash, Izet Aliu, duke apeluar për investim të ri në rrjet, për të cilin thotë se është i stërvjetëruar dhe gypat e azbestit janë të pëlcitur gjithandej.