Ndërmarrja “Puna” triumfon – Shpallet e pabazuar ankesa e Komunës ndaj OSHP-së!

Ndërmarrja “Puna” triumfon – Shpallet e pabazuar ankesa e Komunës ndaj OSHP-së!

Prishtinë, 28 qershor 2021 – Gjykata e Apelit (Departamenti për Çështje Administrative) e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën paditëse të Komunës së Dragashit kundrejt Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke e vërtetuar kështu vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lidhje me projektin e ndërtimit të ujësjellësit për 15 fshatrat e kësaj komune, projekt ky që po zvarritet me vite të tëra.
Në arsyetimin e këtij vendimi të Apelit, i cili mban datën 15 qershor 2021, thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, e ka hedhur poshtë si të palejuar padinë e Komunës së Dragashit, të ushtruar kundër OSHP-së, duke e shfrytëzuar të drejtën e ankesës nga përfaqësuesi i Komunës së Dragashit, lidhur me aktvendimin e datës 14 prill 2021 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku është kërkuar nga Apeli që ta rikthej në rishqyrtim vendimin e kësaj të fundit. Por, kjo ankesë është hedhur poshtë, duke e vlerësuar si të pabazuar.
Në një prononcim për redaksinë tonë, Ardian Halili, përfaqësues i ndërrmarrjes “Puna”, e cila këmbëngul se me të drejtë i ka takuar tenderi për kryerjen e punimeve në ujësjellësin për 15 fshatra, thotë se, pas këtij vendimi të Apelit, Komuna e Dragashit i ka dy mundësi; Ose ta shpërblej me kontratë kompaninë “Puna” sh.p.k , ose të përballet me pagesën e dëmshpërblimit moral dhe material që është krijuar si pasojë e mosrespektimit të 9 vendimeve të plotëfuqishme të OSHP-së. “Ne si kompani jemi të interesuar më shumë për mundësinë e parë, domethënë që ta realizojmë kontratën dhe jo të shpërblehemi pa kryer asnjë punë e që kjo e fundit tashmë është në favorin tonë. Në të kundërtën, humbëse do të jetë Komuna por edhe banorët që po e presin ujin tash e sa vjet”, tha Halili.