Në Dragash filloi mbarë Testi i Maturës Shtetërore 2021

Në Dragash filloi mbarë Testi i Maturës Shtetërore 2021

Dragash, 26 qershor 2021 – Testit i Maturës Shtetërore 2021, në Dragash ka filluar mbarë dhe pa asnjë problem gjatë ditës së sotme. Kështu ka deklaruar për redaksinë tonë drejtori i Arsimit, Vloran Cenaj, i cili ka qëndruar në SHML “Ruzhdi Berisha” për të parë nga afër mbarëvajtjen. “Kjo vizitë është bërë për të parë nga afër procesin e testimit dhe për të marrë informata për rrjedhën e mbajtjes së testit. Ne presim rezultate reale dhe urojmë që nxënësit të kenë suksese”, tha Cenaj.
Në gjithë Kosovën janë rreth 23 mijë nxënës që po i nënshtrohen testit të maturës, prej tyre 178 nga komuna e Dragashit. Koordinatorja e Maturës për Komunën e Dragashit, Alltane Tërshnjaku, tha për redaksinë tonë se gjithçka ka vijuar sot sipas rregullave të parapara dhe nuk presin ndonjë ankesë apo shprehje të pakënaqësisë. “Gjithçka ka vajtur siç ishte paraparë dhe, tani krejt varet nga vetë nxënësit se sa janë të përgatitur. Jemi munduar që mbarëvajtja të jetë në nivel, për ç’gjë kemi marrë edhe komplimente nga mbikëqyrësit që ishin sot prezent”, tha Tërshnjaku.
Matura shtetërore është provim përfundimtar i standardizuar, i cili vërteton përfundimin e shkollës së mesme të lartë. Gjithashtu, matura shtetërore dëshmon shkallën e aftësimit të kandidatit për vazhdimin e  shkollimit terciar apo punësimit. Ky provim për herë të parë u organizua në vitin akademik 2005/2006.  Provimi i maturës shtetërore është një ndër vlerësimet më të rëndësishme të arsimit para-universitar në Kosovë. Si një provim i standardizuar, provimi i maturës ka për qëllim të mat njohuritë dhe shkathtësitë e fituara gjatë procesit mësimor në ciklin e shkollimit sekondar.