Aty ku këndohet, vdekja kthehet mbrapsht – Kështu më tha gjyshja!

Aty ku këndohet, vdekja kthehet mbrapsht – Kështu më tha gjyshja!

Nga: Helena HALILAJ


• Nganjëherë nuk i njohim hapësirat, mundësitë e vogla dhe plot dashuri rreth vetes, derisa i takojmë.
Këto ditë kuptuam se shtëpia ka shumë punë, për të qenë aq mirë sa e mban mami, vjehrra apo ndonjë gjyshe e fortë. Nga lulet tek pluhurat, nga blerjet tek gatimi, nga rrobat tek larja.
Në këto ditë mësuam ku ka më shumë nevojë shtëpia, sa pak receta kemi gatuar deri më tani, sa gjethe të thara kanë lulet, blemë ushqimin e zogjve etj. Biseduam me farefisin, u informuam mbi ndryshimet e tyre, e njohëm edhe komshiun kur biseduam nga ballkoni, se as në ashensor nuk flisnim deri dje! Kuptuam që pallati ka disa plaka, ka të sëmurë, ka fëmijë, ka mjekë. I shfletuam dhe ca libra të blerë në panaire, ca të pranuara si dhuratë. U morëm edhe me fëmijërinë, rininë, i hapëm albumet e vjetra që i kishim harruar në fund të dollapëve. Gatuam me fëmijët, u bëmë gjithë brum petullash, mësuam nga nënat dhe gjyshet për fëmijërinë tonë, për lodrat, ushqimet, veset dhe pritshmëritë që kishim.
Na treguan për lindjen tonë, për këngët e fëmijërisë. Na treguan edhe për dasmat. U fol edhe për darkat e mëdha, kur flinin shumë njerëz në një dhomë, madje përtokë në të shumtën e rasteve. Biseduam me babanë e me burrin për tema të shumta, bëmë edhe mbledhje familjare.
Në këto ditë lamë rrugica e tapete, pimë kafe turke në ballkone, qeshëm, kur gjyshja donte të na mësonte shtizat. Folëm edhe për sakrificat e prindërve, gjyshërve tanë. Edhe për dashurinë deshëm të na flisnin më shumë, për njohjet, propozimet, ngacmimet. U mblodhëm në dreka e darka sa s’jemi mbledhur për një vit në kohë të tjera. Gëzuam sytë e gjyshërve dhe prindërve se u bëmë të gjithë bashkë. Biseduam me fëmijët për të gjitha ëndrrat e tyre. Njohëm më shumë jetën sociale, pasiguritë, shqetësimet, si dhe mësuam online çdo ditë. Fëmijët lexuan, lodruan me prindërit e ne mësuam receta tradicionale gatimi. U përqafuam, se i kishim harruar përqafimet në darkë, të gjithë bashkë. Sa shembuj të mirë u dhanë në pak ditë. Të gjitha këto ditë i veshëm me komunikim zemre. U fol shumë nëpër të gjitha shtëpitë tona të vogla, ku mund të rrijë edhe dashuria e madhe. U dashuruan të harruarit nëpër punë, diku diku edhe sherre madje plasën mes çifteve për mendime dhe situata të ndryshme, por u pajtuan sërish natën vonë!
Ne u rinjohëm në këto ditë, ku emëruesi i përbashkët është vazhdimësia e jetës. U zhytëm nëpër filma të shumtë dhe morëm mesazhe, diku dhe qamë, diku u frymëzuam për të dhënë falje, për ta kërkuar atë. U përqafuam, rrëfyem ndjesi, u penduam ndonjëherë. Përtej të gjitha brengave dhe shqetësimeve kuptuam që familja është me ty gjithkund e gjithmonë.
Se gjaku ujë nuk bëhet asnjëherë, se në udhë të vështira mund të hapim udhë të reja dashurie e të dalim fitimtarë, këtë e mësuam këto ditë. Nuk i lamë të varura në mure as çiftelitë apo kitarat, se gjyshet tregojnë se, aty ku këndohet edhe vdekja kur të vjen në familje detyrohet të kthehet mbrapsht, nuk e prish këngën. Edhe ne, le ta këndojmë të gjithë bashkë këngën e jetës…

(Autorja është analiste e problemeve sociale në media, si dhe analiste në diskutime dhe konferenca të ndryshme. Ka studiuar letërsinë dhe është autore e gjashtë librave, për çka ka fituar shumë çmime dhe vlerësime. Aktualisht punon si lektore në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)