Gjeneral Cikaqi vizitoi pjesëtarët e FSK-së të Reagimit të Shpejtë

Gjeneral Cikaqi vizitoi pjesëtarët e FSK-së të Reagimit të Shpejtë

Prishtinë, 21 qershor 2019 – Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Enver Cikaqi, së bashku me komandantin e Brigadës së Reagimit të Shpejtë, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj, si dhe komandantin e Kontingjentit Turk të KFOR-it në Kosovë, kolonel Numan Bus, vizituan sot pjesëtarët e Batalionit të Parë të Reagimit të Shpejtë, në kazermën e Gjilanit, të cilët po realizonin ushtrimin “Komando dhe Bjeshkatari”, të udhëhequr nga instruktorët e ushtrisë turke.
Gjatë realizimit të këtij ushtrimi, në vendin e quajtur “Guri i Plakës”, në komunën e Drenasit, pjesëtarët e FSK-së demonstruan para vizitorëve shkathtësitë e tyre që kanë mësuar gjatë 8 javësh të trajnimit.
Në një prononcim për redaksinë tonë, gjeneral Cikaqi tha se ushtarakët tanë kanë treguar shkathtësi të veçanta gjatë trajnimit Komando-Bjeshkatari. “Instruktorët turq janë shumë profesionalë dhe, në këtë drejtim, ushtria turke i ka shumë të specializuara Forcat speciale për bjeshkatari. Ata kanë bartur përvojën e tyre tek ushtarët tanë, gjegjësisht tek Njësia e Reagimit të Shpejtë e FSK-së. Ne do të vazhdojmë t’i krijojmë kapacitetet tona operacionale, në përputhje me mandatin e ri, natyrisht duke u mbështetur nga partnerët tanë”, tha Cikaqi.