Dragashi gdhin me gjysmë metër borë – Fillojnë kritikat rreth mirëmbajtjes!

Dragashi gdhin me gjysmë metër borë – Fillojnë kritikat rreth mirëmbajtjes!

Dragash, 05 janar 2020 – Të gjitha rrugët në komunën e Dragashit janë të kalueshme. Kështu ka njoftuar Komuna e Dragashit, përmes Facebook-ut, ndërkohë që banorët e fshatrave rurale, për pastrimin e rrugëve të të cilave përgjegjëse është Komuna, po ankohen se mirëmbajtja nuk është e mirë.
Në rrjetet sociale kanë vërshuar kritikat e banorëve, të ilustruara edhe me fotografi nga vendi i ngjarjes, ku shihet se disa banorë po organizohen vet për t’i pastruar rrugët. “Ndryshe, nuk kemi rrugëdalje. Po e pritem Komunën, deri në pranverë do të mbesim të izoluar”, u shpreh njëri nga aksionistët që po pastronte rrugën e fshatit Pllajnik, për të cilën thotë se gjithmonë kështu e mirëmbajnë. Një tjetër banorë nga fshati Kosovë thotë se, një kamionët e vogël kishte shkuar deri në fshat, por se vetëm e kishte bllokuar rrugën e tyre, pasi nuk ka mundur ta shtyjë borën, e cila e ka arritur trashësinë mbi gjysmë metër.
Nga ana tjetër, rrugët regjionale po mirëmbahen më mirë, pasi në to kalojnë kamionë të mëdhenj, të cilët po hedhin edhe kripë. “Të gjitha rrugët tuaja që i mirëmbajmë ne janë të kalueshme dhe kamionët tanë nuk kanë të ndalur. Madje, jemi ne që po e pastrojmë edhe rrugën brenda qytezës së Dragashit, ndonëse këtë nuk e kemi për obligim”, tha për redaksinë tonë një përfaqësues i kompanisë “Drini”, i cili ua sheh për të madhe pronarëve të lokaleve, për të cilët thotë se borën po e hedhin në korsi, duke e vështirësuar kështu qarkullimin e lirë brenda qytezës.
Drejtoria komunale për Shërbime Publike dhe Inspektoriat, ka njoftuar se mëngjesin e sotëm ka dalë në terren dhe, atyre që po e hedhin borën në rrugë, ua ka tërhequr vërejtjen se ky veprim ndëshkohet. Ndërkaq, sa i përket gjendjes në rrugët lokale, kjo drejtori ka njoftuar se operatorët e kontraktuar nga Komuna janë në terren dhe po i pastrojnë këto rrugë.