Bora në Dragash – Zyrtari për informim thotë se rrugët janë të kalueshme!

Bora në Dragash – Zyrtari për informim thotë se rrugët janë të kalueshme!

Dragash, 07 janar 2022 – Bora që ka rënë gjatë natës në komunën e Dragashit kishte krijuar vështirësi për qarkullim, sidomos në fshatrat e thella të kësaj ane. Por, ndërhyrja e Komunës, që në mëngjesin e hershëm, ua ka lehtësuar banorëve qarkullimin, sot kur në Dragash është ditë tregu.
Zyrtari për informim në Komunën e Dragashit, Brendi Berisha, në një prononcim për redaksinë tonë, bëri me dije se të gjitha ekipet e pastrimit të rrugëve janë në terren dhe aktualisht asnjë fshat nuk ka vështirësi për qarkullim. “Intervenimi i Komunës ka qenë i menjëhershëm, duke pasur parasysh se sot është ditë tregu dhe lëvizjet janë të shtuara. Aktualisht ekipet i kemi në terren dhe nga atje kemi mësuar se të gjitha rrugët tashmë janë pastruar”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, me autorizimin e kryetarit, Bexhet Xhelasini, në terren kishte dalë edhe drejtori i Administratës, Vetim Ramadani, i cili ka mbikëqyrë intervenimin dhe aktualisht bën me dije se gjithçka është në rregull sa i përket rrugëve. “Sot vizitova ekipet e pastrimit të borës, të cilat intervenuan që të pastrohen të gjitha rrugët lokale. Edhe pse kemi terren malor dhe mungesë mjetesh, arritëm të intervenojmë në secilën pjesë të komunës”, bëri me dije Ramadani.