Zhbllokohen nga bora të gjitha fshatrat e Dragashit!

Zhbllokohen nga bora të gjitha fshatrat e Dragashit!

Dragash, 09 janar 2017 – Pas katër ditësh, që kur bora mbuloi territorin e komunës së Dragashit, mësohet se të gjitha fshatrat janë zhbllokuar dhe, ndonëse me vështirësi, qarkullimi i automjeteve mund të zhvillohet. Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, tha sot për radion tonë se jeta në këtë komunë po vjen duke u normalizuar, falë angazhimit të pandërprerë të punëtorëve që ka angazhuar qeveria lokale. “Është më se normale që krijohen vështirësi në këto rrethana, por angazhimi ynë nuk ka munguar. Mobilizimi ka qenë maksimal dhe sot mund të themi që ia kemi dalë t’i zhbllokojmë nga bora edhe fshatrat më të thella”, tha Jenuzi. Nga ana tjetër, banorët thonë se nuk kanë ndenjur duarkryq. Ata janë mobilizuar maksimalisht që t’i hapin rrugët e vendbanimeve të tyre.
Suad Selimi, banor nga fshati Xërxe, ka raportuar në redaksinë tonë se, bashkë me punëtorët e Komunës, ia kanë dalë që ta largojnë borën e madhe, e cila kishte bllokuar rrugën kryesore të fshatit. “Pas katër ditësh, ne e zhbllokuam fshatin, me ndihmën e një borëpastrueseje të Komunës. Tashmë qarkullimi mund të zhvillohet, ndonëse më vështirësi”, ka raportuar lexuesi ynë, Suad Selimi.

Leave a Reply