Rikthehen reshjet e borës – Vështirësohet qarkullimi rrugor!

Rikthehen reshjet e borës – Vështirësohet qarkullimi rrugor!

Dragash, 24 janar 2022 – Ndonëse me intensitet të dobët, bora që po bie këto ditë, si dhe temperaturat e ulëta, të cilat arrijnë deri në -15 shkallë të Celsiusit, e kanë vështirësuar qarkullimin nëpër udhët e komunës së Dragashit. Megjithatë, po punohet me intensitet të shtuar në pastrimin e borës nga çdoudhë.
Zyrtari për informim në Komunën e Dragashit, Brendi Berisha, në një prononcim për redaksinë tonë, ka bërë me dije se udhët lokale, të cilat janë në përgjegjësi të Komunës, ndonëse me mjete të pakëta, po mirëmbahen mjaftueshëm. “Po punohet intensivisht në pastrimin e secilës udhë, edhe pse kemi mungesë të borëpastruesve. Nuk mund të themi se gjendja është perfekte. Por, kemi mundësuar që udhët të jenë të qarkullueshme në të gjitha lokalitetet, pavarësisht pozitës gjeografike që kanë”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, në udhët regjionale, ndonëse gjendja është më e mirë, nuk duket një angazhim i madh, përjashtim ka rruga që lidh këtë komunë me Zhurin. Ajo është tejet e mirëmbajtur. Por, udhët, Plavë – Zaplluxhe, Dragash – Brod dhe Dragash – Restelicë nuk janë në gjendje të shkëlqyeshme. Këtë gjendje po e shfaqin përdoruesit e këtyre udhëve, tëcilët ankohen se mirëmbajtja është e dobët.