Bota është e guximtarëve dhe jo e meshkujve!

Bota është e guximtarëve dhe jo e meshkujve!

Shkruan: Silvana BEGAJ


• Sikur t’isha djalë?! Mjaft më… Është paragjykim nga e kaluara!
Unë mund ta hap vetë derën: tha një studente suedeze, kur një student i vendeve të Lindjes u përpoq t’i hapte derën. Në një prej diskutimeve të barazisë gjinore ajo shpjegoi veprimin e saj me një fjali: Nëse presim shërbime nga gjinia tjetër, atëherë ne nuk kemi të drejtë morale të kërkojmë barazi! E di, po flasim për një nga vendet më feministe në botë. Befas më erdhi ndërmend atdheu im i vogël, ku shpeshherë mërmërisja me vete: Ah sikur t’isha djalë! Përpara se të mendojmë për zgjidhjen e një problemi, duhet ta gjejmë se nga rrjedh si fillim. Duke qenë se unë, ne nuk mund të gjykojmë, mbi të gjitha pa baza shkencore, nuk dua të gjej fajtor por dua të fajësoj të gjithë ne.
Kur analizojmë femrën shqiptare për integrimin, lirinë, emancipimin, mundësitë e barabarta në familje, shoqëri, punë… Duhet të analizojmë:

  • Sa normale konsiderohet dhuna psikologjike dhe fizike në mentalitetin tonë?
  • Sa mundësi kanë të reagojnë ndaj dhunës?
  • A e dinë forcën e tyre?
  • A kanë mbështetje sociale dhe ekonomike që të fillojnë një jetë?
  • Sa të mbrojtura janë?
  • A kanë një profesion?
  • Sa të gatshme janë të bëjnë ndryshime?
  • A janë të afta të vënë veten para “mentalitetit” apo më mirë të vdesin me nder se të ndahen?
  • A ka qendra sociale që i ndihmon në raste dhune?
  • A ka ndonjë institucion, qendër që ndihmon në rastet e diskriminimit në punë apo vëzhgon këtë proces?

Çdo ditë dëgjojmë vrasje në familje, e cila më parë, sigurisht, ka pasur një histori dhune prej vitesh. Nëse e ka denoncuar më parë, ku ishte mbrojtja e organeve kompetente? Kush mban përgjegjësi?
Nëse nuk e ka denoncuar, ku ishte familja, shoqëria, njerëzit e afërt? Pse nuk e ndihmuan ose pse nuk reaguan? Sot, ende ka martesa të detyrueshme, ku nuk marrin parasysh as moshën që shpesh është e mitur. Si pasojë, lenë arsimin në mes. Që fëmijë, një vajzë nuk ka të drejtë ose lirinë që të bëjë zgjedhjen e saj në jetë dhe kjo ndodh, madje pak kilometra larg qendrës së Tiranës!
Në një familje të thjeshtë, është normale dhe e padiskutueshme që vajza nuk duhet të ketë të drejtë pronësie në trashëgiminë familjare, ndonëse ka të drejtë me ligj, në përgjithësi nuk e kërkojnë kurrë këtë të drejtë. Diskriminimi gjinor lind që në lindje si mallkim.
Përgjegjësia sociale e humane, zakonisht bën ndryshime më të shpejta se sa masat ligjore. Nëse në botë diskutohet për integrimin e gruas në sferat më të larta profesionale, në vendin tonë ende diskutojnë për lirinë njerëzore. Edhe në botë femrat hasin barriera, mbi të gjitha në karrierë, për shkak të natyrës së meshkujve që priren të ndihmojnë njeri-tjetrin (Kanter 1993). Kurse, në bazë të një studimi të Hofstede, Shqipëria është vendi ku 80 përqind fuqia është e meshkujve.
Shteti ndërhyn me anë të masave për të rritur pjesëmarrjen e gruas në qeverisje, si në atë vendore shtu edhe në atë lokale por edhe në institucione. Një prej masave që edhe Shqipëria ka marrë, është kuotimi. Kuotimi nuk është një matës i saktë, pasi është thjesht përqindja e punësimit, pa marrë parasysh se kush e ka fuqinë dhe kush qëndron pas një femre.
A mjaftojnë këto masa për t’a ndryshuar pabarazinë e dukshme gjinore? Jo! Kjo është një temë delikate dhe e gjerë, pasi janë shumë faktorë dhe fenomene tjera që duhen trajtuar. Por, unë do t’ju përgjigjem: Jo, nuk mjafton! Ndryshimi fillon nga ne! Nga mënyra e perceptimit, çdo ditë, dhe në çdo nivel. Gratë duhet të dinë që bota është e tyre, po aq sa edhe e meshkujve dhe, meshkujt duhet të dinë që bota është e femrave, po aq sa dhe e tyre.
E dashur grua! E dashur nënë!
Faleminderit që më mësove të vishem me dinjitet dhe ta mbaj kokën lart!
I dashur burrë!
I dashur baba!
Faleminderit që më mësove se bota është e guximtarëve dhe jo e meshkujve.

(Autorja ka studiuar për ekonomi në Universitetin e Tiranës. Aktualisht punon si ndihmës-pedagoge në Universitetin e Gavles, në Suedi. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)