Punësimi në Shqipërinë Tjetër!

Punësimi në Shqipërinë Tjetër!

Shkruan: Silvana BEGAJ


Gjermania kërkon inxhinierë, saldatorë, mjekë, infermierë… Gjermania po i heq vizat e punës për vendet e Ballkanit! Çfarë “gëzimi” për Shqipërinë! Shqipërinë tonë që kaloi një periudhë të gjatë komunizmi (45 vjet), pastaj tranzicion të tejzgjatur (30 vjet) dhe kurr në zhvillim…
Unë nuk e kam përjetuar periudhën e gjatë të komunizmit, por kam dëgjuar dhe lexuar per të. Njerëzit, sot janë të ndarë ne dy grupime; ka nga ata që e urrejnë atë periudhë dhe nga ata që e vlerësojnë. Nuk dua të futem në detaje, por do përmend disa pika të rëndësishme:
– Thuhej se njerëzit ishin të barabartë, por realisht ndaheshin në njerëzit e Bllokut dhe pjesës tjetër.
– Si në çdo vend komunist punohej fort me ideologjinë, propagandën dhe për të ashtuquajturën “meritokraci”. Pra, krijonim dhe shkatërronim figura, sipas rastit dhe në interes të propagandës.
– Kishte shumë pak kuota për arsimim, të cilat ishin ëndrra të kujtdo që donte të studionte.
Për shkak të periudhës së gjatë të komunizmit dhe mungesës së mundësive për t’u arsimuar brezi i prindërve tanë, ne u ushqyem me ndjenjën që, me arsim ne mund të arrijmë majat dhe do të ishim një nga njerëzit e Bllokut, por harruam që Bllokun tashmë nuk e kanë të arsimuarit.
Sot po lexoja me kujdes disa statistika online për punësimin dhe papunësinë në përqindje dhe që personalisht nuk mendoj që janë relevante dhe, nuk dua t’u referohem!
Tradicionalisht, në vendin tonë është rëndom që, pasi fëmija mbaron shkollën e mesme, prindërit ngarendin t’i regjistrojnë në shkollë të lartë duke menduar që ajo që ka vlerë realisht është thjeshtë një diplomë. Nuk është se janë totalisht gabim, pasi me një kërkim të thjeshtë kupton që Shqipëria është një vend paradoksal. Për shembull: kush ka studiuar për gjuhë të huaja fillon punë financier dhe kush ka studiuar për financë punon përkthyes e kështu mund të përmendim plotë shembuj. Kjo mënyrë e funksionimit të palogjikshëm, heq dhe motivimin për ata që duan të bëhen profesionistë në profesionin e tyre. Në fakt, vrasja e ëndrrave fillon, që në Universitet, kur kupton që nuk mjafton thjesht të mësosh e të lexosh për të filluar hapat në formimin tënd, por kupton që ke ardhur në një mbretëri me disa principata (departamente ) ku kërkohet nga një ”taksë” për secilën.
Zakonisht, për një kërkim shkencor duhen muaj, e shpesh edhe vjet, që të kërkosh, formulosh dhe shkruash një artikull shkencor, edhe më shumë për t’u aprovuar nga institucionet përkatëse dhe publikuar si i tillë. Ndërkaq, në Shqipërinë tonë shkruhen libra me faqe e faqe të tëra nga një ”super profesor gjeni”, i cili bën një plagjiaturë të hapur, duke përkthyer në mënyrën më të pakuptueshme punën e të tjerëve.
Kjo është jeta që ne duam për vete dhe për fëmijët tanë? Të investojmë për një shkollë apo profesion që nuk e pervetësojmë kurrë? Të investojmë për të qenë askushi?!
Unë i ftoj ata intelektualë që, vërtet i duan e i çmojnë vlerat e vërteta të dijes me baza shkencore, që të punojmë së bashku për Shqipërinë Tjeter. Kjo thirrje vlenë edhe per ata shqipëtarë që janë integruar dhe njohin botën e qytetëruar ku duam te shkojmë. Sepse, në Shqipërinë Tjetër do të ketë:
– Marrëveshje me kompanitë që studentët e universiteteve apo nxënësit e shkollave profesionale, të krijojnë kontakte me punëdhënësit potencialë.
– Union studentor të mirëorganizuar.
– Punët verore, të cilat duhen nxitur dhe aplikuar për ata që duan të hyjnë në tregun e punës.
– Temat e diplomave mos të hidhen në kosh, si një punë “Copy – Paste”, por t’i inkurajojmë që kërkimi i tyre shkencor të jetë real dhe të vihet në zbatim dhe, pse jo, edhe të sjellë një punë në organizatën, institucionin apo kompaninë që është kryer ky kërkim.
– Mikrofinancime dhe programe të tjera financiare që inkurajojnë të rinjt për hapjen e Bisneseve të mesme dhe të vogla (SME).
– Organizime për të takuar, lidhur dhe për të shkëmbyer eksperienca, ngecjet dhe kompetencat e duhura midis atyre që duan të jenë sipërmarrës dhe atyre që aktualisht janë.
– Programe, të cilat ndihmojnë të rinjt për të gjetur rrugët e karrierës (Guidë karrieriste).
– Internshipe të paguara.
Të gjithë e dimë që sot ka rënë ndjeshëm niveli i besueshmerisë që studentët apo nxënësit e shkollave profesionale kanë kapacitete dhe aftësi për të praktikuar profesionin e tyre. Pra, duhet një punë kolosale për rritjen e besimit (Trust Building). Në Shqipërinë Tjetër, nuk lind drejtor por ky pozicion fitohet, duke u anagzhuar në pozicione të ndryshme, brenda së njëjtës organizatë, për të krijuar perceptime të vlefshme dhe të nevojshme për postin drejtues në të ardhmen.
Rrogat mujore nuk duhet dhe nuk do të jenë, sa fatura e energjisë elektrike. Garanci, organizim dhe krijimi i një sistemi, i cili siguron pagë në data të caktuara. Njerëzit me aftësi të veçanta duhet të kenë dhe do të kenë përkrahje të veçantë. Agjensia e Punësimit e Shqipërisë Tjetër, do të jetë funksionale.
A e dini se si e çanë njeriu rrugën e tij këtu?
Ose me shkëlqimin e gjenisë ose me artin e të korruptuarit! Duhet të hysh në këtë masë njerëzish, si një gjyle topi ose të depërtosh si murtajë! Ndershmëria s’pi ujë! (Balzak)
Bashkohuni t’i tregojmë Balzakut që ne nuk kemi nevojë për shkëlqimin e gjenisë, si në kohën e komunizmit dhe as për artin e të korruptuarit që sot po na shkatërron çdo ditë!
Shqipëria Tjetër, nuk është një ëndërr. Shqipëria Tjetër duhet të krijohet! Është domosdoshmëri, sepse ne nuk do të ndërtojmë më Gjermaninë, Italinë , Greqinë apo shtete të tjera por do ta ndërtojmë Shqiperinë tonë!

(Autorja ka studiuar për ekonomi në Universitetin e Tiranës. Aktualisht punon si ndihmës-pedagoge në Universitetin e Gavles, në Suedi. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)