Bankat, më pak të hyra e më shumë fitim!

opinion ibrahim rexhepiNga: Ibrahim REXHEPI


•Afarizmi i bankave komerciale në Kosovë po tregon shenja të rënies, posaçërisht tek të hyrat. Ato kanë tendencë të rënies, që nga viti 2011. Kjo mund të ndërlidhet me politikat e investimeve që udhëheqin bankat, përkatësisht rënies së vazhdueshme të normave të interesit në kredi. Mirëpo, me qëllim të rritjes së fitimit, bankat vazhdimisht kanë reduktuar shpenzimet, si të interesit ashtu edhe ato të jointeresit. Janë rritur vetëm shpenzimet për stafin dhe ato administrative. Por, fitimi shënon rritje shumë të madhe. Bankave, në fund të vitit 2015 iu mbetën, hiq më pak se 94.7 milionë euro, krahasuar me 66.4 milionë euro në vitin 2014 dhe 28 milionë euro në vitin 2013. Rritja, në raport me parvjet, është 43 përqind ndërkaq, krahasuar me vitin 2013, fitimi është 3.4 herë më i lartë. Krejt kjo u arrit vetëm duke reduktuar në maksimum shpenzimet, të të gjitha llojeve, posaçërisht ato të jointeresit (taksat dhe komisionet e ndryshme).
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, dhjetë bankat komerciale kanë shpenzuar 143.5 milionë euro, ose 20 përqind më pak se parvjet dhe 35 për qind më pak se në vitin 2013. Ato kishin shpenzime minimale për pagesa nga jointeresi, vetëm 3.6 milionë euro që, krahasuar me vitet paraprake, rënia është mbi 90 për qind. Edhe pagesat për interes, në një shumë prej 22.6 milionë euro (kryesisht për ato në depozita), janë 49 përqind më të ulëta se parvjet dhe 65 përqind, krahasuar me vitin 2013.
Kanë rënë edhe të hyrat. Në total, vjet ato ishin 238.2 milionë euro, më 2014 – 243.7 milionë euro dhe më 2013 – 247.8 milionë euro. Në këtë kategori, rritje kanë vetëm të hyrat nga jointeresi, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të shërbimeve bankare. Nga këto shërbime u arkëtuan 51.1 milionë euro, ose 3.3 milionë euro më shumë se parvjet dhe 1.2 milionë euro më shumë se në vitin 2013. Mirëpo, kanë rënë të hyrat nga interesi, kryesisht për shkak të kamatave më të ulëta në kredi. U arkëtuan 186 milionë euro, apo 5.1 për qind më pak se vjet dhe 6.4 për qind më pak se parvjet.

Leave a Reply