Bankat në Kosovë thyejnë rekord – Mbi 90 milionë fitojnë për 9 muaj!

Bankat në Kosovë thyejnë rekord – Mbi 90 milionë fitojnë për 9 muaj!

Prishtinë, 16 nëntor 2021 – Derisa shumë biznese janë duke i vuajtur pasojat e pandemisë, e kundërta po ndodhë me sektorin financiar, ku hyjnë bankat komerciale, institucionet mikrofinanciare, kompanitë e sigurimeve dhe fondet pensionale. Kështu, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur fitime marramendëse në periudhën janar-shtator të këtij viti, e që po konsiderohet si viti që bankat komerciale do të arrijnë fitimet më të larta përgjatë dy dekadave të fundit.
Sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), fitimet e pastra të bankave komerciale janë rritur për 32.9 milionë euro sivjet, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Këto institucione gjatë periudhës janar-shtator 2021 kanë raportuar 90.1 milionë euro fitime neto, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishin raportuar fitime prej 57.2 milionë euro.
Me rritje të jashtëzakonshme të fitimeve në periudhën janar-shtator 2021 është karakterizuar edhe sektori i institucioneve mikrofinanciare. Ky sektor sivjet ka arritur fitime të pastra prej 10.5 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte raportuar humbje prej 2.7 milionë euro.
Edhe kompanitë e sigurimeve kanë rritur fitimet e pastra sivjet. Gjatë periudhës janar-shtator 2021 kanë raportuar fitime të pastra prej 5.9 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishin një milion euro fitime më pak.


 

KËRKO FJALËT