Dragash, 07 shkurt 2016 – Punëtorët e fabrikës “Remateks” në Dragash, mëngjesin e së martës kanë filluar protestën para dyerve të tjerrtores ku punojnë, për të kërkuar dy pagat e fundit, si dhe pagesën për pushimin e pashfrytëzuar.
Kjo, sepse e kanë nuhatur që fabrika mund të mos vazhdoj punën kurrë dhe kështu ato paga të mos i marrin kurrë.
Rreth 50 punëtorë, edhe të mërkurën e kanë vazhduar protestën, ku përpos mosmarrjes së pagave, janë ankuar edhe për faktin se iu kanë skaduar kontratat e punës, që në muajin dhjetor, dhe të njëjtat nuk u janë vazhduar. Kjo e ka shtuar frikën se fabrika vërtetë mund të mos i ndez makinat kurrë më në Dragash. Besar Zyberi, njëri nga punëtorët e kësaj fabrike, është shprehur se ka mbetur pa rrogë, qe dy muaj. Ai ka thënë se kontrata i ka skaduar në dhjetor, ndërsa përgjegjësit e fabrikës i kanë thënë se pagat e papaguara do t’i merrnin më 15 janar. Por, pasi ka kaluar kjo datë, Besari thotë se kjo ishte vetëm një gënjeshtër, pasi që më 20 janar ai kishte arritur të merrte vetëm gjysmën e pagës.
Mbyllja e tjerrtores në Dragash, për kohë të pacaktuar, i ka lënë pa punë mbi 250 punëtorë, duke e rritur kështu numrin e të papunëve në Dragash. Disa punëtorë kanë frikë se pronari turk ka plane që të largohet nga Kosova, për tu zhvendosur në ndonjërin nga shtetet tona fqinje.
Meqë para objektit të fabrikës nuk doli t’i takojë askush nga drejtuesit e fabrikës, ata kanë protestuar edhe para Komunës së Dragashit, ku një delegacion i tyre është takuar me kryetarin e komunës, Salim Jenuzin, i cili iu ka thënë se është i njoftuar me hallet e tyre dhe se do të mundohet që të ushtrojë ndikimin e tij tek udhëheqësit e fabrikës, në mënyrë që t’iu jepen pagat sa më shpejt.
I pari i Komunës së Dragashit ka thënë se fabrika edhe zyrtarisht nuk është duke punuar. Por, sipas Jenuzit, i cili thotë të jetë njoftuar nga pronarët e fabrikës, puna në këtë gjigant të Dragashit do të fillojë, mbase në muajin prill. I kontaktuar përmes telefonit, drejtori gjeneral i kësaj fabrike, Besim Minkara, ka thënë se gjysma e pagës do t’iu paguhet punëtorëve gjatë javës së ardhshme, ndërsa pjesa tjetër do t’iu paguhet deri në fund të këtij muaji. Sipas tij, fabrika tash e 15 ditë nuk është duke punuar, por nuk do të vijë deri tek mbyllja e saj. “Punët janë duke na shkuar shumë mirë. Por, për shkak të prishjes së makinerisë, ne e kemi mbyllur fabrikën dhe janë duke u bërë hetime se cilat janë arsyet e prishjes së tyre”, ka thënë ai të mërkurën. Por, në prononcimet që iu ka dhënë më pas medieve tjera, Minkara ka dhënë një variant krejt tjetër. I cituar nga agjencia KosovaPress, Minkara thuhet të këtë thënë se po kërkon blerës për shitjen e makinave, dhe ka pranuar se fabrika është me borxhe të mëdha ndaj punëtorëve dhe shtetit, si dhe borxhe të tjera komunale dhe të energjisë elektrike. Por, Minkara ka garantuar se në asnjë mënyrë nuk do të largohet nga Kosova, pa i përmbyllur të gjitha faturat.
“Qysh nga viti 2008 kemi punuar me humbje. Deri tash ne i kemi humbur 10 milion euro. E kemi mbajtur këtë fabrikë, edhe pse nuk ishim aspak të kënaqur me punëtorët”, citohet Minkara nga KosovaPress, duke shtuar se kjo punë është më shumë për gra, por ata kanë punësuar burra, me të cilët nuk kanë qenë të kënaqur. Sa i përket shitjes së makinave, Minkara ka thënë se, po gjetën blerës për makinat, do t’i shesin ato. “Kjo është punë biznesi dhe leverdie”, ka thënë ai, duke e lavdëruar Qeverinë dhe komunarët, me të cilët thotë se ka pasur bashkëpunim të mirë dhe se për të gjitha pengesat që kanë pasur, ata iu kanë dalë në ndihmë.
Ish-tjerrtorja “Drateks” është privatizuar në valën e 4-të të programit të privatizimit, me Spin off të rregullt. Ndërsa në vitin 2008, disa ndërmarrës turq e kanë marrë objektin me qira nga blerësit e këtij objekti. Njëri prej blerësve ka thënë për media se nuk kanë probleme me turqit, sa i përket pagesës së qirasë, dhe se me këtë kompani turke nuk e kanë prishur kontratën, e cila është valide edhe gjashtë vite në vazhdim. Mirëpo, punëtorët thonë se nuk besojnë që kësaj radhe do të rifillohet puna, pasi edhe energjia elektrike i është shkëputur këtij objekti, pikërisht për shkak të borxheve.
Ndërkohë, Remateksi i ka borxh edhe Komunës. Këtë e kanë bërë publike anëtarët e Kuvendit të Komunës së Dragashit, të cilët kanë kërkuar nga ekzekutivi lokal që shuma prej më shumë se 100 mijë euro që ka kjo ndërmarrje, t’i paguhet sa më parë Komunës. Në të kundërtën, qeverisë lokale i është rekomanduar që të reagojë sipas ligjeve në fuqi.
• Shiko pamjet – VIDEO
Me vjen keq per familjaret e puntorve e sidomos per fmit e tyre e sa per puntoret habitem se sei nuk e kuptojne se kann qen viktime e krimit te organizuar ! Mos lejoni qe te luaj me djerson tuaj askush. AI zotria qe keni bo foto shume mire e di se si ka funksionuar ajo falltore e die dhe perfundimin e saj se Deri dje po ne ate zyre ka bo reklama per ata Persona qe sote ua kane marre buken e fmive tuaj .Shum let e ka me i kthye parot tuaja . Kur falimenton nji fabrike me ligj automatikishte i merren makinat dhe paguhet borgji . Shume mire e dini kush e ka privatizua ate fabrike ! Ata Persona qe dikur i thojshin popullit kugjo nuk humbim me ndrrimin e autonomise . Shpresoje qe nuk shkoni te disa prej tyre me ju mbrojte. Niher e pergjithmon ndeshkoni keta njerez per hire te fmive tuaj . Djemte ma te mire opojar kan luftuar ane e mbane kosoves , kann mbrojtur qdo cep te trojeve shiptare dhe matan kufinit e sote lejoni qe dikush tjeter te luaj me ndjenjat tuaja. Nese nuk keni mundsi me bo ma shume me siguri keni guximin mos mi pershendet dhe mos me pi kafe me lalot dhe shkerdhatat (me falni per ket shprehje) !.. Shnet dhe me fat !!! Uroj qe kesaj here nuk ju mashtrojne !!!!