Dragash, 14 janar 2015 – Kryetarja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në prag të përfundimit të mandatit të saj, e ka vizituar për herë të parë komunën e Dragashit, ku është takuar me kryetarin e Komunës, Salim Jenuzin, me të cilin kanë biseduar kryesisht për çështje ekonomike. Bashkë me të ishin edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, si dhe asaj Amerikane dhe gjermane.
Në takimin që zhvilloi me dyer të mbyllura për gazetarë, mësohet se është diskutuar për sfidat nëpër të cilat po kalojnë komunat dhe është shqyrtuar mundësia e thellimit të bashkëpunimit dhe komunikimit më të mirë edhe me nivelin qendror.
E pyetur nga Radio Sharri, nëse kjo vizitë e parë e saja në Dragash ka të bëj me takimin lamtumirës, Jahjaga e ka mohuar kategorikisht, duke thënë se ajo nuk është këtu për tu përshëndetur, por kjo vizitë ka qëllim ekonomik, ashtu siç po e bën në të gjitha komunat. “Ne jemi këtu për çështje ekonomike, sikurse që po i vizitojmë komunat tjera”, tha shkurt Jahjaga, e cila asnjë herë më parë nuk e ka vizituar këtë komunë gjatë mandatit të saj që i përfundon së shpejti.
Se Dragashin po e viziton për herë të parë një kryetar shteti, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, e tha edhe kreu i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, i cili pranoi se është biseduar kryesisht për çështjet ekonomike. “Ne biseduam për agjendën ekonomike e cila në dy vitet e fundit ka filluar të realizohet ne shume komuna të Kosovës, në koordinim edhe me tri odat ekonomike. Poashtu kemi biseduar edhe për sfidat që kanë nivelet lokale ne këtë aspekt dhe nevojën për një komunikim më të mirë me nivelin qendror, mënyrën e hapjes se perspektives ekonomike dhe gjenerimin e vendeve te reja te punës për qytetarët”, tha mes tjerash Jenuzi.
• Shiko kronikën – VIDEO