Ministri i Arsimit vizitoi Komunën e Dragashit (Video)

Ministri i Arsimit vizitoi Komunën e Dragashit (Video)

Dragash, 19 gusht 2020 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, bashkë më drejtorin e Arsimit, Vloran Cenaj, e pritën sot në një takim pune ministrin e Arsimit, Ramë Likajn, me të cilin biseduan rreth situatës pandemike, organizimit të procesit mësimor, si dhe për realizimin e projekteve infrastrukturore në fushën e arsimit në komunën e Dragashit.
Drejtori i Arsimit e informoi ministrin Likaj për punën që po bëjë drejtoria e Arsimit, në organizimin e procesit mësimor dhe nevojat që kanë për të pasur një proces të duhur në mbarëvajtjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies.  Ndërkaq, kryetari Shabani dhe Ministri Likaj u dakorduan që të gjitha veprimet që do të merren, të jenë të koordinuara me nivelin qendror dhe konform situatës në vend.
Ministri Likaj ka folur edhe për përgatitjet që janë bërë nga ana e dikasterit që ai drejton dhe komunave, për fillimin e vitit të ri shkollor, duke përmendur faktin se në Udhëzuesin e përgjithshëm për organizimin e mësimit në vitin shkollor 2020/2021, në kushtet e pandemisë, janë marrë parasysh vlerësimet e gjendjes dhe udhëzimet e UNESCO-s, UNICEF-it, Bankës Botërore, udhëzuesit e CDC-së, IKSHPK-së, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu, me këtë rast janë marrë parasysh edhe praktikat e disa vendeve të BE-së. Ministri Likaj kërkoi nga institucionet komunale  që të marrin masat e nevojshme dhe të jenë të gatshëm për cilindo nga skenarët e përcaktuar me Udhëzuesin e përgjithshëm për organizimin e mësimit. Në këtë takim u konfirmua edhe bashkëpunimi mes Komunës, MASH dhe të gjitha institucioneve tjera relevante, në mënyrë që të ketë një fillim të suksesshëm të vitit të ri shkollor dhe në cilindo variant të jetë prioritet ruajtja e shëndetit të nxënësve, mësimdhënësve dhe të gjithë akterëve të institucioneve edukativo-arsimore. Në fund, kryetari Shabani dhe drejtori i Arsimit, Vloran Cenaj, e falënderuan ministrin për interesimin e tij për këtë komunë, si dhe për mbështetjen, duke i uruar suksese në udhëheqjen e Ministrisë që ai drejton.