Rahovec, 13 qershor 2014 – Në shtëpinë e një 33 vjeçari është gjetur vajza e mitur, e cila nga babai i saj ishte lajmëruar në polici si e zhdukur. Pas intervistës që këtij personi i ka bërë policia, si dhe vajzës së mitur, është kuptuar se ajo kishte shkuar tek ai me dëshirën e vet, por prokurori për të mitur dhe ai për krime të rënda, janë akorduar që i dyshuari të ndalet në mbajtje, nën dyshimin se i njëjti ka konsumuar elemente të veprës penale, keqpërdorim seksual të personave të mitur, nën moshën 16 vjeçare.
Zyra për Informim Publik e Policisë së Kosovës në Prizren, njoftoi se prindi, nga një fshat i Rahovecit, e kishte informuar policinë se vajza e tij e mitur ishte larguar nga shtëpia dhe nuk mund ta gjente, edhe pse ai kishte disa pista dyshimi për vendndodhjen e saj. “Pas një pune operative, në shtëpinë e një të dyshuari, i moshës rreth 33 vjeç, është gjetur vajza. Pas intervistës, është kuptuar se ajo kishte shkuar tek ky i dyshuar me dëshirë. Megjithatë, prokurori për të mitur dhe prokurori për krime të rënda janë akorduar që i dyshuari të ndalët në mbajtje, pasi i njëjti ka konsumuar elemente të veprës penale, keqpërdorim seksual të personave të mitur”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës në Prizren.