Policia arreston policin – Dyshohet për keqpërdorim detyre!

policia kosova arrestimiPrizren, 12 janar 2014 – Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, dje kanë bastisur tri lokacione të ndryshme, në Prizren dhe Suharekë, me ç’rast kanë arrestuar tre persona, njëri prej të cilëve është pjesëtar i Policisë së Kosovës, me detyrë në Drejtorinë e Prizrenit për hetimin e trafikimit me narkotikë. Lajmin e ka konfirmuar vetë Inspektorati Policor, duke specifikuar se ky aksion është ndërmarrë pas një hetimi paraprak në vazhdimësi. “Inspektorati Policor i Kosovës, pas një hetimi intensiv, ka ndërmarrë një operacion bastisje në tri lokacione të ndryshme, në Prizren dhe Suharekë.
Operacioni ka rezultuar me arrestimin e tre personave, me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale; keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit. Personave të dyshuar u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, deri në vazhdimin e procedurave të rregullta gjyqësore. Ndërkaq, zyrtari policor që është arrestuar, tashmë është suspenduar”, thuhet në njoftimin e IPK-së. Mësohet se, përveç arrestimeve, janë konfiskuar dy armë të gjata, pajisje kompjuterike, dokumente dhe prova të ndryshme që do të shërbejnë për hetimin e rastit.

Leave a Reply