Arrestohet i dyshuari për sulm ndaj zv-komandantit të policisë së Dragashit

gjykata themelore prizrenPrizren, 11 mars 2016 – Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit, ka njoftuar sot për arrestimin dhe paraburgosjen e një personi nga Dragashi, për të cilin dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”. Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj, ka bërë të ditur se i pandehuri F.Q. do të mbahet në paraburgim, në kohëzgjatje prej një muaji. “I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal, sepse me datën 25.12.2015, rreth orës 17:35, me dashje tenton të privojë nga jeta personin tjetër, në atë mënyrë që në afërsi të kafiterisë ‘Taksi’ në Dragash, derisa i dëmtuari me iniciale E.S. nga fshati Lubovisht, komuna e Dragashit, ishte duke e pritur kolegun e tij të punës. I pandehuri me iniciale F.Q, i pajisur me një thikë, i përvidhet nga pas dhe e godet të njëjtin tri herë në shpinë (në pjesën e pasme të kraharorit) dhe largohet nga vendi i ngjarjes , duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit”, njoftoi Kicaj.
Kujtojmë se viktima e këtij rasti është zv-komandanti i Stacionit policor në Dragash, Elam Seferi, i cili në një prononcim për Radio Sharrin pati thënë se nuk e kishte idenë se nga kush ishte sulmuar.

Leave a Reply